e hënë, 17 shkurt, 2025

Propaganda politike përmes asfaltit elektoral në zgjedhjet vendore të 14 majit

Propaganda

Paraditen e 20 qershorit kryeministri Edi Rama do të duhej të ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit për t’iu përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me aferën e incineratorëve, aq më tepër që kjo e fundit kishte kërkuar interpelancë me kreun e qeverisë. Por për t’iu shmangur përballjes me opozitën Edi Rama gjeti kartën e tij të radhës për të inspektuar në jug të vendit, akset rrugore Orikum-Dukat dhe Palasë-Dhërmi.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, i pari i qeverisë u shfaq në një makinë e tipi kabriole teksa në sfond ishte rruga e re e sapoasfaltuar.

Ishte duke bërë shëtitje me Belën me makinë, po po me makinë, po bënte shëtitje në plazh. Ju ka lënë ju roje këtu deri në 12 të natës të votoni”, u shpreh atë 20 qershor, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Kjo shfaqje e Edi Ramës pasoi ato që përfshinë fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku Bashkia e Tiranës dominoi në shtrimin e ashtuquajturit “asfalti elektoral”.

Përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të Bashkisë së Tiranës, kryeqyteti gëloi nga shtrimi i rrugëve të caktuara, nga hedhja e asfaltit qoftë edhe për disa metra.

Në pikun e fushatës elektorale Tirana u shndërrua në një kantier ndërtimi, gjë që nuk ishte parë as gjatë administrimit të këtij qyteti përgjatë katër viteve të fundit.

Në 2 prillin e këtij viti, bashkia nxitoi të shtrojë rrugën “Muhamed Deliu”, një rrugë që ishte nënshtruar disa herë punimeve. Nga ana e tyre banorë e kësaj rruge e konstatojnë se shtrimi i asfaltit kryhet për qëllime elektorale.

Ka tre ditë që shtrohet ky asfalt. Në të vërtetë këtu nuk janë as 30 m/2 rrugë. Për mua është asfalt elektoral pasi rrugët më  poshtë janë më keq se ç’kanë qenë. Nuk mendoj se bëhet vetëm sot, por ka vite që bëhet. Për puna votimesh do të bëhet rregullime, sistemim”, u shprehën ata për mediat.

Strategjia e asfaltit elektoral nuk preku vetëm kryeqytetin, aty ku beteja për të marrë dhe mbajtur pushtetin ishte edhe më e madhe por edhe në bashkitë e tjera të vendit.

Në shumë nga këto bashki, ajo që ra më shumë në sy ishte në fshatin Dervishaj të bashkisë së Memaliajt, ku rruga e këtij fshati ishte shtruar me rërë bituminoze.

Duke parë mënyrën se si ishte shtruar kjo rrugë, banorët e këtij fshati u ngritën në protestë duke theksuar se ky investim nuk mund të quhet as asfalt elektoral.

12 maj, dy ditë para zgjedhjeve 2023 na kanë sjellë rërë bituminoze dhe kanë shtruar 300-400 metra rrugë, i hodhën ca mballoma si punë e ngjitjes së pantallonave, andërr dhe ikën”, shprehet kryeplaku i fshatit Haxhi Jaupi.

Megjithatë, rasti i lartpërmendur përbën një ndodhi të veçantë pasi siç shpjegon pedagogu i Shkencave të Komunikimit në universitetin “Beder”  Erlis Çela thekson se propaganda përgjatë fushatave elektorale duke përdorur investimet në punët publike funksionon në disa raste “pasi ne mund të vëmë re se komunitete të caktuara, kryesisht të varfra e kanë pranuar tashmë faktin se  ata mund ti përfitojnë një rrugë të shtruar apo një tubacion për ujin e pijshëm, vetëm nëse votojnë për qeverinë në pushtet

Duke marrë në konsideratë raportin e politikanëve me elektoratin dhe mungesën e filtrimit të informacionit në shumë raste nga mediat shqiptare, pedagogu i Shkencave të Komunikimit dhe Gazetarisë në universitetin e Tiranës, Ramadan Ccipuri e konsideron një propagandë të tillë si një qasje populiste që gjen vend te një elektorat i paedukuar mediatikisht.

Një qasje më shumë populiste, që drejtohet si mesazh për një kategori të gjerë elektorati, të paedukuar mediatikisht, por me vlerë të barabartë për sa i përket vlerës së fletës së votimit në nivel individual dhe peshë të madhe në rezultatet zgjedhore në tërësi,  që nuk arrin të filtrojë mesazhet politike që vijnë përmes kanaleve të komunikimit masiv”, shprehet pedagogu Çipuri, i pyetur në kuadër të këtij shkrimi, mbi propagandën përgjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të këtij viti më 14 maj 2023.

Propaganda me asfaltin elektoral mund të ilustrohet mjaft mirë me një nga fotot më domethënëse që qarkulloi në rrjetet sociale përgjatë fushatës elektorale. Ajo reflektonte më së miri propagandën e asfaltit elektoral, më 7 prill, në rrugën “Asdreni” në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, ku gjithë rrugica është shtruar me ‘asfalt’ ndërkohë është lënë pa vënë dorë në vendin e parkimit të automjetit siç shihet në foton e mëposhtme.

Siç u evidentua edhe në terren nuk bëhej fjalë në fakt as për asfalt por për mbetje mazuti, shumë me e lirë në çmim krahasuar me bitumin.

Këtë fenomen pedagogu i Shkencave të Komunikimit në universitetin “Beder” në Tiranë, Erlis Çela e konsideron si një keqpërdorje të parave publike dhe abuzim me pushtetit.

Fakti që qeveria qendrore dhe bashkitë nuk i kryejnë në kohë këto investime, nënkupton që janë duke i privuar qytetarët nga këto shërbime dhe duke i keqpërdorur paratë publike. Së dyti kjo përbën një abuzim me pushtetin pasi kemi të bëjmë me investime të bëra pa planifikim të nxituara dhe pa cilësi”, shprehet pedagogu Erlis Çela, i pyetur nga MediaLook në kuadër të këtij shkrimi.

Nga ana tjetër, njohësi i Marrëdhënieve me Publikun dhe pedagogu i Shkencave të Komunikimit në universitetin e Tiranës, Ramadan Çipuri shpjegon se propaganda politike përgjatë fushatave zgjedhore është një praktikë që është ndjekur “që nga rënia e regjimit totalitar, përtej kaheve politike, e të gjithëve bashkë, ku investimet e kësaj natyre janë pjesë e të ashtuquajturave investime elektorale, pa cilësi dhe që nuk premtojnë asnjë garanci për investimet e mëtejshme

Opozita: Abuzim fondesh edhe me “asfaltin elektoral”

Ndërkaq, opozita denoncoi përgjatë fushatës elektorale se disa zona në kryeqytet rezultoi se në tre rrugë të shtruara brenda një distance të shkurtër, metri i asfaltit elektoral është i ndryshëm.

Si është e mundur që brenda një distance kaq të shkurtër, në tre rrugë që ndodhen në të njëjtën zonë dhe në të njëjtin terren, kemi tre çmime të ndryshme për metër të asfaltit elektoral?!

Në rrugën “Nikolla Tupe”, 1 metër asfalt elektoral koston 19,994 lekë. Në rrugën mbrapa shkollës “Edit Durham”, metri i asfaltit elektoral koston 25,103 lekë.

Ndërsa në rrugën “Beqir Rusi”, 1 metër asfalt elektoral koston 29,315 lekë. Si shpjegohet që njëra rrugë koston gati 40% më shtrenjtë se rruga tjetër, ndërkohë që kemi të njëjtën cilësi asfalti dhe të njëjtin objekt punimesh?”, u shpreh në atë kohë, Tedi Blushi i Partisë së Lirisë.

Gjithashtu, edhe kandidati i grupit politik të Rithemelimit në Partinë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi e përdori si kartë të fortë denoncimin e propagandës së asfaltit elektoral.

Në denoncimin e tij ai shprehej se rrugët e pashtruara dhe të mbuluara nga uji nuk kanë qenë prioritet i kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Edi Ramës që kanë qeverisur Tiranën për 19 vjet, pasi sipas tij e kanë mendjen të hedhin veç asfalt elektoral.

Asfalti elektoral fsheh problemet reale të rrugëve. Ai që nuk e shtroi rrugën ‘Xhavit Isufi’ për 8 vjet, nuk do e bëjë për 4 muaj. Asfalti elektoral është fyerje për inteligjencën e qytetarëve të Tiranës.

Ky ujë që shikoni të hidhet përpjetë si shatërvan është tregues i mentalitetit ‘shkel e shko’ që ka Veliaj. Erion Veliaj dhe Edi Rama së bashku e kanë qeverisur Tiranën për 19 vjet.

Të dy së bashku kanë drejtuar Bashkinë e Tiranës për 5 mandate. Jua kanë kërkuar votën 5 herë për Tiranën me premtimin për ta modernizuar”, u shpreh në majin e këtij viti, Belind Këlliçi.

Nëse do të shikoni mënyrën sesi asfalti elektoral tenderohet, do të vini re shkelje të procedurave, tenderime jo transparente dhe abuzime me vlerat e investimit.

Asfalt edhe pas zgjedhjeve. Veliaj: Nuk punojmë vetëm në kohë fushate; ekspertët e PR-it: Vijon propaganda! 

Kjo formë e propagandës përmes asfaltit elektoral vijoi edhe pas zgjedhjeve vendore të 14 majit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili fitoi përballë kandidatit demokrat Belind Këlliçi e përforcoi edhe më shumë  strategjinë e ndjekur përgjatë fushatës elektorale teksa vizitoi punimet e rrugës në zonën midis midis Freskut dhe komunës së Dajtit 10 ditë pas zgjedhjeve.

Është e rëndësishme me u thënë njerëzve mesazhin që kjo nuk është punë fushate, ne biles këtë vit, lotin tjetër e kemi dy herë më të madh se loti i parë. Pra, kemi një lot që është dyfishi i kësaj”, u shpreh Veliaj teksa i drejtohet njërit prej grupit të tij të punës.

Kryebashkiaku i Tiranës nuk lë pa u adresuar këtë mesazh edhe banorëve të kësaj zone.

Si jeni, mirë? Si kaluat? I fortë? Se thanë janë vetëm për fushatë. Thashë të vij një herë pas fushate për t’i parë vetë”, iu drejtua Veliaj, banorit të lagjes 12 në kryeqytet, në zonën midis midis Freskut dhe komunës së Dajtit.

Duke iu referuar qasjeve të pushtetit vendor dhe atij qendror që përdorin asfaltin elektoral për të fituar vota, pedagogu Erlis Çela nënvizon se “investimet në fushatë elektorale përdoren dhe si mjet për të pastruar imazhin e qeverisjes apo politikanëve konkrete, të cilët në periudhën mes dy fushatave mund të mos jenë dukur asnjë ditë pranë zgjedhësve te tyre, si dhe mund të kenë abuzuar me pushtetin që u është dhënë”

Por jo vetëm kaq, Çela shkon edhe më tej kur vë në dukje se kjo formë propagande përdoret si shantazh ndaj zgjedhësve se ata duhet të votojnë aksh kandidat që të marrin shërbimet që u nevojiten.

“…kjo formë propagande përdoret edhe si shantazh ndaj zgjedhësve. Në disa raste bashkia apo qeveria qendrore, përmes asfaltit elektoral iu përcjell qytetarëve mesazhin se ata duhet të votojnë patjetër për atë forcë apo atë kandidat në mënyrë që të marrin këto shërbime, në të kundërt do harrohen”, nënvizon Çela.

Shkeljt ligjore

Kjo formë e fushatës elektorale duke përdorur si element propagande objektet publike, si shtrimin e rrugëve është ndaluar edhe Kodi Zgjedhor, Ligji për Rregullat e Etikës në Administratën Publike dhe Ligji për Shërbimin Civil.

Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli”, thuhet në nenin 3 të Kodit Zgjedhor.

Shkeljet përgjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 14 majit janë evidentuar edhe në raportin e publikuar nga OSBE-ODIHR-i.

Duke iu referuar Kodit Zgjedhor OSBE thekson se “autoritetet nuk mund të propozojnë apo miratojnë vendime që ofrojnë përfitime sociale për popullatën brenda katër muajve para ditës së zgjedhjeve dhe deri në formimin e qeverisë së re. Megjithatë, Komisioneri deklaroi publikisht se dispozita përkatëse ishte e zbatueshme vetëm për zgjedhjet parlamentare”.

Por nga ana tjetër, shumica e kandidatëve të majtë që drejtonin ndërkohë bashkitë e vendit, me në krye atë të Tiranës nxituan të përdornin asfaltin elektoral për të përfituar vota. Këto veprime politike janë cilësuar si keqpërdorim i burimeve administrative

Si rezultat, ekzekutivi kombëtar mori vendime të shumta për të ofruar përfitime sociale për popullatën, gjë që u pa nga disa bashkëbisedues të MVZ-së të ODIHR-it si një keqpërdorim i burimeve administrative”, thuhet më tej në raport.

Këtë fakt OSBE-ODIHR e konstaton teksa shkruan në raport se “vëzhgoi modelin sipas të cilit në të gjitha rajonet, autoritetet lokale angazhoheshin në aktivitete të gjera si riparimet e infrastrukturës lokale, shpërndarja e ushqimit ose ofertat e punësimit afatshkurtër, duke përfshirë edhe për komunitetet e pakicave kombëtare”.

Sa i përket keqpërdorimit të burimeve administrative, pedagogu Çela nënvizon se “nëse do të shikoni mënyrën sesi asfalti elektoral tenderohet, do të vini re shkelje të procedurave, tenderime jo transparente dhe abuzime me vlerat e investimit”.

Përveç spektrit politik dhe shkeljeve të Kodit Zgjedhor të reflektuar edhe në raportin e mësipërm të raportit të OSBE-ODIHR-it, denoncimi i propagandës së qeverisë dhe bashkisë së Tiranës me asfaltin elektoral ka ardhur edhe nga njerëzit e Teatrit dhe Kinematografisë.

Rruga e shtruar për 24-orë!

Njëri prej tyre, aktori i humorit Gent Zenelaj tregoi një eksperiencë të tijën personale. Ai rrëfeu se si për 15 vite Bashkia e Tiranës e kishte lënë rrugën përpara shtëpisë së tij në mes të baltës dhe pisllëkut, një rrugë që përgjatë fushatës elektorale të 14 majit e shtroi për 24 orë.

Unë kam 14 vite që jetoj te rruga “Ndre Mjeda”. 14 vite që më ka hyrë balta në shtëpi. Pra, kush e njeh rrugën “Ndre Mjeda” e ka parasysh se si është rruga “Ndre Mjeda”. “Parku i Autobusëve” është një tmerr i madh. “Ku është balta më e ëmbël se mjalta”. Është te “Ndre Mjeda”. Kam 14 vite që jetoj aty, 15 vite, dhe papritur zgjohem një ditë të bukur në mëngjes dhe vërej që lagjja ime ishte shtruar me asfalt brenda 24 orëve. Para 1 jave. Dhe gjëja që më acaroi më shumë nervat ishte pikërisht kjo; pra unë që kam 14 vite që jetoj në mes të baltës dhe ti më ke lënë 14 vite të jetoj në mes të baltës për një rrugë që ti e ke shtruar brenda 24 orëve. Pra, ti ke 14 vite që më merr taksat kot dhe ti pretendon që unë me këtë të të jap votën?! Po gjallë në botë! Një asfalt që shtrohet për 24 orë do prishet për 24 ditë”, u shpreh aktori dhe moderatori Gentian Zenelaj gjatë emisionit “Më lër të Flas” në televizionin “Top Channel”.

Fushata elektorale e zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023 nuk rezulton të jetë fushata e parë që të jetë përdorur strategjia e propagandës përmes asfaltit elektoral, ku partitë politike që janë në pushtet përdorin të gjitha burimet shtetërore dhe ato vendore për t’u angazhuar në realizimin e punëve publike përgjatë fushatave për të fituar vota prej qytetarëve. E tillë ka rezultuar edhe fushata elektorale për zgjedhjet të përgjithshme parlamentare të 25 prillit, ku asfalti elektoral dominoi kryesisht në kryeqytet, ashtu siç ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit vendore.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.