Patjetër që inteligjenca artificiale është dhe do të jetë një ndihmëse e madhe për njeriun, si ta them siç është kompjuteri, makina llogaritëse, motorrët e kërkimit, madje edhe shumë më tepër, do t’i propozojë alternativa njeriut, modele zgjidhjesh, do ta përshpejtojë zhvillimin e njohurive njerëzore, do të ndihmojë në diagnostikime, në mjekime, në lehtësim të punës së njeriut, në një komunikim global, do ta zbavisë njeriun, etj.
Por, as bëhet fjalë që ta zëvendësojë njeriun, as të arsyetojë në vend të njeriut, flas sot. Teknika asnjëherë nuk zëvendëson njeriun.
Cfarë nuk ka sot për sot, mendoj as nesër, Inteligjenca artificiale dhe specifikisht CHAT GPT, pavarësisht se e paraqesin me pamjen e një malësoreje, si manekin, si striptizuese, si -femër nudo, pa fund forma për ta paraqitur si njeri, si grua që t’u pëlqejë burrave idiotë!
- Nuk ka moral, nuk ka vlera etike të vetat, pra nuk është në gjendje që të ketë bindje morale, këndvështrime të vetat morale, të ndajë vetë ajo të mirën nga e keqja.
- Nuk ka emocione, nuk i vjen keq, as gëzohet, nuk do të mërzitet, as të jetë solidare, as të sakrifikojë, as gjë prej gjëje. Pa këto ajo gjykon në mënyrë vrastare, të ftohtë, të rrezikshme.
- Thotë atë që ka dëgjuar që thonë njerëzit. Me një fjalë përsërit, ose përpunon modele të reja por mbi bazën e atyre që i kanë mësuar, sidomos kur është puna për të përpunuar modele 3sjelljesh shoqërore.
- Në dijet apodiktike është e pazëvendësueshme, i di të gjitha përkufizime, por nuk kontekstualizon dot, përpara një fakti të panjohur, një realiteti të çrregullt në dukje për të, ngecet. Pra e ka shumë të kufizuar nivelin e dijeve faktuale, rastësore, të detajeve, gjykimin sintetik.
- Nuk ka personalitet, identitet personal, nuk i thotë dot vetes “Unë jam” si një subjekt lëre të ketë urrejtje, dashuri, mirënjohje, borxh moral, përkushtim, e të tjera.
- Nuk di si të arsyetojë për të përballuar përdorimin e Inteligjencës nga të tjerët, nuk e merr parasysh këtë, pra nuk ka intersubjektivitet sikurse kemi ne njerëzit, ne sillemi siç duam, por edhe duke imagjinuar sjelljen e tjetrit ndaj sjelljes sonë. Teorinë e lojës (game theory) nuk e përballon dot.
- Nuk merr parasysh atë që ne njerëzit e quajmë gjuhë të heshtjes. Niset nga ato që njerëzit i thonë, ve në kujtesë ato tekste, fjalë, imazhe, që kap në mënyrë empirike, dedekton, por gjuhën e heshtjes, atë që në thelb na bën të komunikojmë nuk e njeh.
- Nuk ka dhimbje fizike, as shpirtrore, nuk ka frikë nga vdekja, ndërkohë që baza e arsyetimit njerëzor është, sikurse urtësia njerëzore ka argumentuar, qendron pikërisht te dëshira për mbijetesë. Madje po t’i vesh një program që kur dikush i thotë më vrit, ajo të vret po të jetë e programuar ashtu.
- Mëson gjuhën e elitave tekno-burokratike, sepse mënyrën si arsyeton në shekuj populli nuk e ka. Në këtë mënyrë është e shkëputur nga njeriu si qenie njerëzore në përgjithësi.
- Po ta gënjesh, në bashkëbisedim, e ha gënjeshtrën dhe nis të arsyetojë mbi themele bazike gjykimesh të gënjeshtra. Mbi këtë bazë të çon në përfundime qesharake, absurde. Mund ta bësh edhe të bërtesë në mes të Parlamentit : “Rroftë Hamza Kastrioti!”
Pa fund kufizime. Nuk janë çështje kohe, janë pragje kalimi nga makina te njeriu që ende janë shumë larg të mendohen. Sot për sot!
Nêse doni provojini dhe do të shihni se Diella e bukur bën shumë punë si ndihmëse, si i tha Zoti Adamit : Merre si “ezr”, pra si shërbyese, :)), pra si do thoshim ne që të të bëjë gjërat “hazër”, ezr – hazër, por prej saj mos prisni të hajë frutin e ndaluar!
Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.