e premte, 23 janar, 2026

A është RTSH-ja gati për epokën e AI-së? “NarativAI” skanon transmetuesit publik

Nga Jona Cenameri - Gazetare
MediaLook off

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) është vlerësuar me 60 nga 100 pikë në rankimin e parë rajonal që mat përgatitjen e 7 transmetuesve publikë në Ballkanin Perëndimor për epokën e AI-së

Ndërkohë që inteligjenca artificiale po integrohet gjithnjë e më shumë në prodhimin, verifikimin e informacionit dhe formatet mediatike, transmetuesit publikë në Ballkanin Perëndimor po ecin me ritëm të ngadaltë në përditësimin e standardeve të tyre etike dhe redaksionale.

Raport rajonal i “NarativAI” evidenton se RTSH-ja, megjithëse disponon rregulla të forta tradicionale kundër manipulimit, mbetet e papërgatitur për sfidat konkrete të epokës së AI-së. Mungesa e rregullave specifike për inteligjencën artificiale, dhe boshllëqet në qasjen institucionale ndaj teknologjive të reja ngrenë pikëpyetje mbi aftësinë e transmetuesit publik për të garantuar transparencë, përgjegjësi dhe besueshmëri në një mjedis mediatik gjithnjë e më të automatizuar.

Dokumenti i “Transparency and AI Readiness of Western Balkan Public Broadcasters: A Regional Assessment”, i botuar në Dhjetor 2025, përfaqëson vlerësimin e parë rajonal që shqyrton përgatitjen e transmetuesve publikë për realitetin teknologjik që po ndryshon gazetarinë globale.

Me herët në Shqipëri, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, publikoi një studim në nivel kombëtar mbi mediat në epokën e gazetarisë digjitale, duke evidentuar këto problematika. Pjesë e këtij studimi ishte dhe transmetuesi publik, RTSH.

Probleme serioze me aksesin në Kodin e Etikës

Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me transparencën. Edhe pse RTSH-ja ka një seksion “Transparencë” formalisht të strukturuar mirë, linku që të çon tek Kodi i Etikës rezultoi jofunksional gjatë periudhës së monitoruar, nga tetori deri në nëntor 2025. “Gjatë periudhës së kërkimit, linku i Kodit të Etikës ishte jofunksional, pavarësisht mbi 20 përpjekjeve për ta aksesuar atë”, tregon raporti.

Dokumenti u gjet përfundimisht përmes faqeve të palëve të treta që monitorojnë median në Shqipëri, jo nga faqja zyrtare e RTSH-së. Ndërkohë që statuset, raportet financiare dhe aktet institucionale janë të disponueshme, mungesa e aksesit të kodit etik përbën një boshllëk të madh.

Standarde të detajuara por të vjetruara

Kodi i Etikës, i miratuar më 23 nëntor 2016, është një nga më të gjatët në rajon me 55 faqe. Megjithatë, ai është shkruar para ndryshimeve të mëdha teknologjike dhe nuk përmend fare inteligjencën artificiale, algoritmet apo mediat e konverguara.

Një ndër aspektet që konstatohet në këtë Kod janë rregullat rigoroze kundër manipulimit teknologjik, ndër më të ashprat në rajon. Kodi paralajmëron se teknologjitë që krijojnë realitete virtuale duhet të shmangen në raportimin e ngjarjeve reale. Ai kërkon që çdo efekt të mos shtrembërojë realitetin dhe ndalon teknikat që manipulojnë ngjarjet. Të gjitha rindërtimet e hitorive në mënyrë virtuale duhen etiketuara qartë, duke krijuar mbrojtje të fortë kundër keqinterpretimit. Këto dispozita mbeten të vlefshme edhe sot, ndonëse ato nuk janë hartuar për epokën e AI-së.

Pozicioni rajonal dhe shpërndarja paradoksale e pikëve

RTSH-ja ndodhet në vendin e tretë së bashku me RTCG-në e Malit të Zi (60 pikë secila). Kryesojnë BHRT (Bosnja dhe Hercegovina) dhe RTK (Kosova) me nga 65 pikë, pasuar nga RTS e Serbisë me 55 pikë. Në fund renditen HRT e Kroacisë dhe MRTV e Maqedonisë së Veriut me nga 50 pikë.

RTSH-ja ka marrë vetëm 25 pikë nga 50 për transparencë, por ka arritur të marrë 35 pikë nga 50 për gatishmërinë digjitale dhe AI-në, rezultati më i lartë rajonal në këtë kategori.

Rezultati i lartë vjen nga rregullat strikte për manipulimin teknologjik dhe verifikimin online, jo nga pasja e një kornize moderne që adreson specifikat e AI-së. Me fjalë të tjera, RTSH-ja ka themelet më të forta rajonale për të parandaluar manipulimin, por mungon një sistem modern që merr parasysh rreziqet dhe mundësitë konkrete të inteligjencës artificiale.

Boshllëk rajonal në epokën e AI-së

Asnjë transmetues publik në Ballkanin Perëndimor nuk ka miratuar rregulla eksplicite për AI-në, algoritmet, mediat sintetike ose deepfake-et. Ndërsa të gjithë e njohin gazetarinë digjitale dhe mediat sociale, pak ose aspak përmendet AI-ja në mënyrë specifike.

Kjo mungesë bëhet shqetësuese kur e krahasojmë me trendet globale. Redaksitë botërore po eksperimentojnë me mjetet e AI-së, që përdoren për kërkime, përpunim, përmbledhje, gjenerim përmbajtjeje, analizë dokumentesh e madje edhe rikrijim historish në formate të ndryshme.

Udhërrëfyesi për modernizim

Raporti ofron rekomandime konkrete për RTSH-në. Së pari, kërkohet akses dhe përditësim i Kodit për të përfshirë standarde moderne mbi AI-në, algoritmet dhe mediat e reja. Propozohet krijimi i një politike specifike (AI Policy) që përcakton qartë përdorimet e pranueshme të AI-së në produktin mediatik dhe kufizimet/ndalimet e saj.

Rekomandohet gjithashtu zgjerimi i protokolleve të verifikimit digjital me udhëzime për burimet online dhe besueshmërinë e platformave, si dhe forcimi i rregullave për mediat sociale.

Raporti nuk synon të kritikojë, por të ndërtojë një bazë konstruktive për progres. Duke identifikuar pikat e forta dhe boshllëqet, ai mbështet transmetuesit publikë, rregullatorët dhe hartuesit e politikave në ndërtimin e standardeve të përshtatshme për epokën e AI-së.

Mesazhi për RTSH-në dhe rajonin është i qartë: themelet ekzistojnë, por modernizimi është urgjent. Ndërsa inteligjenca artificiale po integrohet shpejt në prodhimin, verifikimin dhe shpërndarjen e lajmeve, transmetuesit publik duhet të sigurojnë që zhvillimi teknologjik të mos tejkalojë përgjegjësinë editorial dhe etike. Kjo mbetet dhe një nga sfidat e besueshmërisë për gazetarinë dhe gazetarët e angazhuar në këtë media publike.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.