e shtunë, 8 shkurt, 2025

Akademiku Artan Fuga: Paketa antishpifje, të mbahen parasysh specifikat e medias!

Gazetari & Etikë

Në një kohë kur paketa antishpifje është kthyer në temë dite në Shqipëri, Akademik Artan Fuga, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News24 është shprehur se “një ligj kundër shpifjes mund të jetë pika e nisjes të një gazetaria të re, por, nëse bëhet keq edhe rifillimi i një censure! Z. Fuga deklaroi se “Shqipërisë i duhet një ligj antishpifje i cili mban parasysh specifikat e medias”.

Unë nuk dua të flas politikisht, por nga pikëpamja e profesionit tim, si studiues, duke e parë çështjen normative. Ajo që duhet pohuar me siguri është që debati publik duhet të rregullohet. Ka disa modele për këtë në raport me ruajtjen e personalitetit të individit, respektimin e privatësisë apo dhe dënimin e mbrojtjen e njeriut nga shpifje të ndryshme. Nga kjo pikëpamje në të gjitha vendet e zhvilluara ka një normativizim dhe unë mendoj që edhe Shqipërisë i duhet një ligj i tillë. Unë nuk jam dakord me atë që thuhet vazhdimisht se ligjet janë. Jo, ato janë ligje të cilat nuk kanë të bëjnë me median. Nëse duhet të bëhet një ligj për shpifjen, fyerjen, cenimin e privatësisë, të nderit në media duhet të vendoset një kuadër normativ i cili mban parasysh specifikën e mediave dhe veçanërisht të mediave online. Sot në Gjykatën e Strasburgut dhe në Parlamentin Europian diskutohet gjatë për ruajtjen e personalitetit të qytetarit ndaj shpifjeve në rrjetin online. Për ta përmbledhur, për mua Shqipërisë i duhet një ligj i tillë, por jo në mënyrën siç ka marrë rrjedha.

Akademiku theksoi se nëse ligji antishpifje hartohet nga ekspertët dhe eshte ne perputhje me standardet nderkombetare, ky mund te jete nje moment rithemelimi i medias shqiptare:

Gazetari shqiptar akoma nuk është mësuar të ketë përballë gjykatësin, i cili e vë përpara përgjegjësisë lidhur me vërtetësinë e fakteve që relaton. Pra administrimi i faktit nuk është ende një kulturë shqiptare. Për këtë arsye, unë them, nisur nga historia dhe ligjet për median, nuk e di nëse do të ketë një ligj kundër shpifjes ose jo; nuk e di nëse do shkohet drejt një ligji të keq që prodhon censurë, dhe po prodhoi censurë kjo i bie në kurriz qeverisë, apo do të jetë një ligj i mirë i realizuar nga specialistët, i cili do konsultohet dhe do të jetë në parametrat evropian… Nëse është kjo e fundit, unë mund t’iu them se një ligj i mirë që rregullon debatin publik mund të jetë një moment rithemelimi i medias shqiptare, në kuptimin jo më të një media të opinionit, të deklaratave, e qarkullimit të informacioneve të paverifikuara, një media e hamendjeve, por një media e faktit, ku gazetari do të mendohet shumë mirë përpara se të botojë. Në këtë moment do të fitojë besimin e publiku, kjo do të jetë një peshë mbi qeveritarët kushdo qofshin ata.

I pyetur rreth faktit se me dhjetëra vende të BE-së e dënojnë shpifjen me burg, Akademiku theksoi se nuk duhet gjykuar teksti por realiteti. Sipas tij, pavarësisht se nga pikëpamja normative ligji antishpifje mund të parashikojë edhe dënimin me burg, në vendet e BE-së nuk ka gazetarë që burgosen. Madje, Profesor Fuga shtoi se në vendet e unionit, problematika e shpifjes nga disa media trajtohet edhe si çështje tregu:

Mund të jetë në normë, në ligj, në tekst, por është e paimagjinueshme që në këto vende, psh., në Danimarkë, Gjermani apo Francë, të futen në burg gazetarët. Kjo nuk ndodh. Nuk ndodh sepse masa e dënimit varet nga serioziteti dhe rrezikshmëria e shpifjes. Dhe nëse këto vende të zhvilluara arrijnë që këtë problematikë ta kontrollojnë me gjoba të ndryshme, sigurisht që duhet rregulluar në këtë mënyrë. Pra, nuk duhet gjykuar teksti por realiteti! Dhe, në realitet, në Bashkimin Europian, nuk ka gazetar që futen në burg për shkak të shpifjes. Këtu duhet patur parasysh se bën kujdes edhe gazetari edhe media. Madje, unë dëshiroj të them se po të shikosh realitetin e përditshëm të vendeve evropiane shpifja dhe gjoba për shpifjen janë shpesh herë dhe marrëdhënie tregu. Në c’mënyrë? Botuesi e di që nëse do të shpif për një çështje të caktuar, duke cenuar interesin ose integritetin e dikujt do të marrë një gjobë të caktuar por nga ana tjetër edhe tirazhi do të rritet. Ndaj ai llogarit fitimin nga tirazhi duke i zbritur shumën e gjobës.

Akademiku është ndalur dhe te debatet e fundit në programe talk show mes kryeministrit dhe gazetarëve, duke e parë komunikimin e tij në tre plane:

Kryeministri ka bërë një llogari: A mundet që dikush tjetër brenda kampit të tij të përballojë gazetarët? Mesa duket i rezulton që jo. E dyta, dihet që modeli i qeverisjes së sotme është një model i centralizuar. Këtu nuk po them ndonjë gjë të madhe, sepse mjaft që të marrim si shembull platformën e “Shqipëria që duam” ku qytetarët ankohen për problemet e pazgjidhura, dhe kuptojmë që në njëfarë mënyrë kryeministri e ka marrë vetë barrën përmes një skeme centralizuese; Së treti, sduhet harruar që kryeministrit vjen nga një botë e artit dhe e krijimtarisë dhe mendon se mund ti përballojë vetë gazetarët. Unë raportin e tij me gazetarët e kuptoj sikur kryeministri kërkon të zhvishet nga pozicioni i tij, duke krijuar një raport horizontal komunikimi me gazetarët, duke i lejuar vetes ti thotë edhe ndonjë gjë të rëndë që mund të shkojë në kufijtë e fyerjes, të cilën më pas thotë se e ka thënë me shaka. Kur është një bisedë horizontale, sigurisht që ka intimidim por të gjithë e dimë që mbas atyre fjalëve nuk ka asgjë.

Sa i takon ultimatumit të AKEP për regjistrimin e portaleve, Profesor Fuga është i mendimit se duhet të regjistrohen në organet e tatim-taksave të gjitha ato media online që kanë aktivitet financiar, ndërse të tjerat vijojnë lirisht në qëllimin e tyre.

Të gjitha portalet të cilat janë operatorë që gjenerojnë financë, kanë të punësuar, kanë reklamë duhet të shkojnë të regjistrohen, të tjerët vijojnë punën e tyre. Nuk duhet të harrojmë që domainet dhe interneti nuk është pronë e AKEP por një pronë globale, një bulevard i madh që nuk mund të vendoset në kontrolle administrative të rrepta. Pra, kush ka veprimtari financiare dhe punësojnë duhet të regjistrohen, të tjerat janë të lira.

 



Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.