Nisi si zbatim i vendimit të një procesi civil për një qera të pashlyer, por historia e rrethimit policor të TV News24, pjesë e Focus Group Media, është kthyer në një uzurpim të dhunshëm ushtarak të redaksisë dhe materialeve të gazetarëve.
Persona të paidentifikuar janë filmuar brenda zyrave të reporterëve ndërsa çmontojnë kompjutera, televizorë, lëvizin materiale personale të tyre, aksesojnë dhe zhvendosin dosje dhe materiale të gazetarëve të këtij grupi mediatik. Këto mjete, një pjesë e mirë e të cilave sipas raportimeve janë dhe dosje dhe dokumente mbi raste korrupsioni të administratës publike, policisë e jo vetëm, janë ngarkuar në kamionë ushtarak, ndërsa janë parë të largohen jashtë ambienteve të këtij televizioni.
MediaLook ka kontaktuar me dhjetëra gazetarë të Focus Media Grup të cilët deklarojnë se nuk janë në dijeni se ku po dërgohen PC, materialet e punës, hard-disqet madje dhe dokumentet të siguruara në rrugë konfidenciale. Ndersa, reportere të tjerë që janë larguar me pushime, po ndjekin nga YouTube sesi puna e tyre hulumtuese është rrembyer nga eksponentë ushtarak, të cilët pa asnjë transparencë po kryejnë vetëm zhvendosjen dokumenteve.
Kjo ngjarje përbën dhunën më të rëndë të ushtruar ndaj të drejtave dhe lirive të gazetarëve e medias, ku jane aksesuar, marrë dhe zhvendosur dosje hetimore, kompjutera dhe dokumente që ndodhen në tryezat e punës së reporterëve të Focus Media Grup, që prej djegies së gazetës Koha Jonë, afro dy dekada më parë.
Mbledhja dhe zhvendosja e materialeve nga persona të panjohur dhe të paautorizuar ngrenë shqetësime serioze për zbulimin e burimeve të gazetarit, një e drejtë kjo e nënvizuar në dhjetëra vendime të GJENJD-së, por e përforcuar së fundmi edhe në procesin hetimore ndaj gazetarit Elton Qyno, për të cilin është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ndërsa shqyrtonte ligjshmërinë e aksesit të burimeve ndaj gazetarit:
“Gjykatat e zakonshme nuk kanë mbajtur në konsideratë se e drejta e mbrojtjes së burimeve të gazetarit nuk është thjesht një privilegj për t’u dhënë ose hequr në varësi të ligjshmërisë ose paligjshmërisë së burimeve të tyre, por është pjesë përbërëse e së drejtës për informacion, që duhet trajtuar me kujdesin më të madh dhe se urdhri për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike potencialisht ka pasur ndikim të dëmshëm jo vetëm për kërkuesin dhe burimet e tij, por edhe për median në tërësi”, – arsyetohet në faqen 28 të vendimit Nr.21/2024 të Gjykatës Kushtetuese.
Denoncimi i parë për aksesimin e materialeve personale u bë nga gazetarja e kronikës, Klodiana Lala në rrjetin social Facebook. Lala shkruante se “Dosjet e mia, që kanë shumë sekrete brenda, me të cilat po punoja, kompjuterin dhe çdo pajisje tjetër që më nevojitet për të ushtruar profesionin, janë konfiskuar në mënyrë arbitrare nga Ard Veliu”.
Ndërkaq, gazetarët Osman Stafa i Neës24 dhe drejtuesi i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj, patën një konfrontim verbal dhe fizik me punonjësit e policisë dhe atyre të ushtrisë, të cilët kërkonin hapjen e rrugës për largimin e kamionëve të ushtrisë me pajisjet dhe materialet e gazetarëve.
Në një reagim të saj, AGSH ngriti alarmin për konfiskimin nga ana e autoriteteve të pajisjeve dhe materialeve të punës së gazetarëve të TV News24. “Këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të lirisë së medias dhe të drejtës së informimit dhe mbrojtes së burimeve konfidenciale të gazetarëve, parime këto të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe praktika e GJENJD-së”.
Në mesditë me dhjetëra gazetarë dhe punonjës të televizionit News24 dhe Focus Media Grup protestuan përpara ambienteve të rrethuara të kësaj media.
Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.