e shtunë, 8 shkurt, 2025

Bushati “rrëzon” mazhorancën për amendimet mbi median, propozon rekomandimet e OSBE-së

Gazetari & Etikë

Projekt-rezoluta për ndërhyrjet e huaja dhe rrezikun për prodhimin e lajmeve të rreme ka përplasur ish-ministrin e jashtëm Ditmir Bushati me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili përfaqësonte pozicionin e deritanishëm të mazhorancës.

Ish-numri një i diplomacisë ka depozituar Komisionin e Sigurisë Kombëtare një draft alternativ me propozime që mbështetet në tre shtylla kryesore, si legjislacioni dhe institucionet vendase; angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe media e edukimi, të cilat ndryshojnë katërcipërisht me përmbajtjen e “draftit Balla”.

Ndër të tjera, bie në sy qasja e amendimeve ligjore për median vizive e atë online, që qeveria tenton të ndryshojë mbështetur në të ashtuquajturat “projektligje antishpifje”, pasi në dokumentin e depozituar nga Bushati kërkohen ndryshime “mbështetur mbi rekomandimet e OSBE-së”, që deri më tani ende nuk janë reflektuar në propozimet e mazhorancës.

Nëse në propozimin e parë të deputetit Balla, kërkohen “ndryshime në legjislacion që mund të konsistojnë në ndërhyrje nga platformat e mediave sociale me qëllim etiketimin sistematik të përmbajtes”, kolegu i tij Bushati nënvizon se “rregullimi i mediave elektronike duhet realizuar duke respektuar parimet kushtetuese mbi lirinë dhe të drejtën e shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së, rekomandimet e OSBE-së, të bazuara mbi parimin e vet-rregullimit e proporcionalitetit…”.

“Drafti Bushati” – Paragrafi i fundit për amendimet e legjislacionit mbi median

“Drafti Bushati” për të luftuar dezinformimin nga ndërhyrjet e huaja mbështetet në konceptet themelore të vetërregullimit dhe masave proporcionale ndëshkuese, njësoj si ekspertiza e OSBE-së, qëndrimet e organizatave të medias dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe ato ndërkombëtare të cilat përgjatë rreth një viti i kanë bërë rezistencë qeverisë në miratimin e “projektligjeve antishpifje”.

Gjithashtu, amendimi “inkurajon institucionet përgjegjëse që të angazhohen në një strategji edukative në bashkëpunim me shoqërinë civile për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e fenomeneve që kanë të bëjnë me dezinformimin, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes”.

Ky propozim u dorëzua nga z. Bushati një ditë pas diskutimit në Komisionin e Politikës së Jashtme të projektrezolutës së propozuar nga Taulant Balla për ndërhyrjet e huaja.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.