e mërkurë, 12 shkurt, 2025

Institucionet rrëzojnë alibinë e kryeministrit Rama për sigurinë dhe bashkëpunimin e TikTok

Investigime

Institucionet shqiptare përgënjeshtrojnë kryeministrin Edi Rama për kërcënimin që sjell platforma e TikTok, mungesën e bashkëpunimit me të apo lidhje të mundshme të saj me vrasjen e adoleshentit Martin Cani, ndërsa ekspertët theksojnë se tentativa për mbylljen e rrjetit social më shumë lidhet me zgjedhjet sesa me sigurinë. 

MediaLook kontaktoi institucionet e policisë dhe ndjekjes penale, agjencitë publike dhe OJF-të që kanë lidhje me TikTok, vetë platformën, ndërsa bisedoi dhe me ekspertë të teknologjive të komunikimit dhe të medias për të kuptuar sa ka bazë reale ka “kriminalizimi” i një rrjeti social dhe ndikimi negativ që ky i fundit ka kundrejt të rinjve dhe shoqërisë shqiptare.

Ndërkaq, kryeministria dhe MIA refuzuan të vënë në dispozicion një kopje të rezultateve të anketës me 65 mijë prindër të realizuar në një muaj, si pjesë e Këshillimit Kombëtar në shkolla me mësues dhe prindër, e cila u përdor nga qeveria shqiptare si argumenti kryesor ku mbështetej vendimi për mbylljen e TikTok. Kopja e dokumentit është kërkuar prej një muaji dhe ende nuk është vënë në dispozicion të MediaLook, pavarësisht ankesave pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.     

“Shqipëria do mbyllë TikTok!”

Më 13-nëntor 2024, si rezultat i konfliktit të disa të rinjve, shumë pranë ambienteve të shkollës Fan Noli në Tiranë, Martin Cani, 14-vjeç humbi jetën pasi u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij Mario Prelleshaj, ndërsa Luis Meçja përfundoi në Spitalin e Traumës me plagë të rënda, që fatmirësisht nuk rezultuan fatale për të.

Një javë më vonë, pas një sërë protestash dhe presioni mediatik ku u kërkua dhe dorëheqja e Ministres së Arsimit, Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të niste një këshillim kombëtar për të pyetur prindërit mbi mbylljen ose jo të TikTok: “Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë dhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave si shtetet e tjera, kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e tjera në Europë apo përtej europës efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërsa stimujt e dhunës dhe të adoleshentëve vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok, e pse jo dhe SnapChat në Republikën e Shqipërisë. Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim për diskutim të gjerë në të gjitha komunitetet e prindërve ku do të angazhohen të gjitha shkollat, – deklaroi kryeministri Rama

Pas një muaji në takimin përmbyllës së Këshillimit Kombëtar, ku u prezantua plani për rritjen e sigurisë dhe reformën në arsimin parauniversitar, kreu i qeverisë njoftoi mbylljen e TikTok, por çuditërisht jo të platformës SnapChat, nga ku dyshohet se të rinjtë kanë postuar foto para e pas konfliktit me pasojë vrasjen së 14-vjeçarit Cani.

TikTok-un do ta mbyllim për një vit. Kini parasysh që ne ndërkohë kemi bërë gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen  6-8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe një vit ne do ta mbyllim plotësisht, për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë.”, – tha Rama.

Kryeministri shpjegoi masa për bllokimin e “rrugaçit të lagjes” është kërkuar edhe nga 90% e 65 mijë prindërve të anketuar në 1300 takimet e organizuara në të gjithë territorin e vendit, në kuadër të Këshillimit Kombëtar me mësues dhe prindër. 

Qëndrimi i qeverisë solli reagimin e menjëhershëm të platformës TikTok. Në një koment për Associated Press përfaqësues të platformës thanë se “nuk është gjetur asnjë provë se autori i vrasjes apo viktima të kenë patur llogari në TikTok dhe se shumë të dhëna tregojnë se videot që mund të kenë lidhje me incidentin janë postuar në një platformë tjetër”, duke iu referuar SnapChat-it. 

Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo platformë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi, – u përgjigj Rama.

Kryeministri ripërsëriti se Shqipëria është një vend demokratik dhe se ky vendim është marrë pasi 90% e prindërve kërkuan ndalimin e TikTok.

Por zgjedhja e Donald Trump si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qasja e tij e re për të shtyrë mbylljen e platformës në SHBA, duket se i komplikoi planet e Qeverisë Shqiptare. Gjatë Forumit Ekonomi Botëror në Davos, kryeministri Rama pas një takimi me zyrtaren e lartë të TikTok Grahn, foli për rihapjen e TikTok pa e mbyllur ende atë: “Një diskutim me frymë konstruktive, ku vendosëm piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim për të siguruar rihapjen e TikTok në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë”, – njoftoi Rama.

“Kriminalizimi” i platformës! TikTok: Të rinjtë e përfshirë në konflit s’kanë llogari; Policia: Denoncimet për TikTok njësoj si Facebook e Instagram

Pas më shumë se dy muajsh nga ngjarja tragjike e Martin Canit, Prokuroria e Tiranës nuk ka një përgjigje rreth faktit nëse ka arritur të identifikojë ndonjë element që e lidhin ngjarjen me rrjetin social TikTok, duke pohuar vetëm faktin se “çështja është ende në hetime paraprake që mbrohet nga sekreti hetimor”, ndërsa shton se procedimi penal është regjistruar për veprat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërkohë vetë TikTok, i pyetur nga MediaLook mbi konfliktin pohon se “nuk kemi gjetur asnjë provë që autori ose viktima në incidentin tragjik në Tiranë të kishin llogari në TikTok”. Përfaqësues të këtij rrjeti social na kanë dërguar disa artikuj të mediave shqiptare, duke shtuar se “disa raportime tregojnë se postimet në rrjetet sociale rreth incidenteve me therje në shkolla në Shqipëri po ndodhnin në një tjetër platformë”, duke iu referuar SnapChat, për të cilën qeveria nuk ka mbajtur asnjë qëndrim.

MediaLook iu drejtua zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të marrë informacion në lidhje me numrin e kallëzimeve mbi veprat penale që lidhen me konfliktet në rrjetet sociale dhe specifikimin e tyre sipas secilit rrjet, por këto të dhëna nuk ekzistojnë në regjistrat e tyre, por vetëm sipas veprave penale.

E ndërsa Prokuroria e Përgjithshme është mjaftuar vetëm me një përgjigje formale, Hetimi për Krimin Kibernetik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë bën me dije se numri i veprave penale në gjithë sferën online, ku përfshihen dhe rrjetet sociale, arrin në 978 vepra penale të regjistruara nw vitin 2024, afro dy herë më i lartë se viti 2022 dhe 2023, me respektivisht 501 dhe 456 kallzime. Në këto raste mbizotërojnë hetimet për “falsifikim dhe ndërhyrjet kompjuterike”, në raport me “mashtrimin” dhe “pornografinë me të mitur”.

MediaLook jozyrtarisht ka siguruar nga Policia e Shtetit numrin e denoncimeve që qytetarët bëjnë në linjë telefonike 24/7 për tre mujorin e fundit shtator-dhjetor 2024. Nga këto të dhëna, rezulton se numri i denoncimeve për rrjetet sociale është më i lartë për Facebook me 19 raste për ruajte të dhënash, krahasuar me 16 raste në Instagram dhe 16 denoncime në TikTok, nga të cilat, policia është angazhuar duke mbyllur 6 profile.

AMA & CRCA: Platforma heq shpejt videot e dëmshme! TikTok: Siguria e shëndeti mendor prioritet, kemi 6 mijë moderatorë në Europë; Qeveria “humbet” anketën!

Kryeministri Edi Rama e mbështeti vendimin e tij për mbylljen e “rrugaçit të lagjes” mbi një anketë të realizuar me 65 mijë prindër, 90% e të cilëve, sipas tij, kishin kërkuar marrjen e kësaj mase nga qeveria shqiptare. Por ndonëse kanë kaluar 30 ditë nga kërkesa e MediaLook dhe nga aktivizimi i Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duket sikur qeveria shqiptare ka humbur anketën. Shkresa e MediaLook, në të cilën kërkohet kopje e këtij dokumenti, prej më shumë se një muaji është kthyer në një ping-pong institucional mes MIA-s – Kryeministrisë dhe së fundi, Ministrisë së Arsimit, të cilat ja përcjellin kërkesën për informacion njëra-tjetrës.  

E ndërsa loja “e ka kush e ka” vijon për gjetjen e dokumentit që citon kryeministri, institucionet shqiptare dhe organizatat që bashkëpunojnë me TikTok nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me kreun e qeverisë sa i takon mungesës së filtrave të sigurisë dhe të bashkëpunimit me platformën.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, e vetmja agjenci publike e cila ka një marrëdhënie bashkëpunimi me TikTok, njofton se 98.2% e videove të raportuara nga ky institucion janë hequr në gjashtë mujorin e fundit të vitit 2024: “Gjatë periudhës Gusht-Dhjetor 2024, janë raportuar gjithsej 291 përmbajtje në platformë dhe nga këto 286 përmbajtje janë hequr, duke u konsideruar si të mbyllura pas shqyrtimit”, – evidenton AMA. E pyetur në lidhje me kohën e reagimit të TikTok nga momenti i raportimit, AMA shpjegon se “koha e reagimit nga ana e TikTok, nga momenti i dërgimit të raportimeve deri në marrjen e një përgjigjeje për bllokimin ose jo të materialit, është mesatarisht një ditë”.

Altin Hazizaj – Drejtues i CRCA-së

Ndërkaq, drejtuesi i CRCA-së, Altin Hazizaj, organizatë e cila në kuadër të platformës “isigurt.al” ka bashkëpunim me platformat më të mëdha, veçanërisht Meta e TikTok, thekson se bashkëpunimi është në nivelet më të larta sa i takon çështjeve për mbrojtjen e fëmijëve online: Me të dyja platformat kemi patur bashkëpunim tepër pozitiv në të gjitha aspektet, me TikTok është edhe më specifike, pasi gjatë vitit të kaluar ne kemi rënë dakord që të organizojmë tryeza rajonale me profesionistët nga arsimi, mbrojtja sociale, mbrojtja e fëmijëve,  policia, etj., në lidhje me mënyrën sesi TikTok merr në konsideratë ankesat nga ne si partner të besuar, si funksionon sistemi, si mund të ankohesh dhe si mund të mbrohen fëmijët.

Sipas Hazizaj, ky bashkëpunim me TikTok vijon prej tre vitesh, ndërsa me META, që përfshin Facebook dhe Instagram është edhe më i hershëm. Hazizaj shton se dhe vetë platformat janë të interesuara që filtrat të jenë në nivele sa më të larta për shkak të ruajtjes së reputacionit të tyre: “…mbrojtja e fëmijëve nga çdo formë e dhunës, e dëmtimit online, shfrytëzimi e dhune seksuale është interes i përbashkët, sepse, në fund të ditës, platformat nuk duan të kenë një reputacion të keq, si p.sh. që platforma përdoret për shfrytëzim seksual të fëmijëve, gjë që, pa diskutim, i jep shumë rëndësi bashkëpunimit mes OJF-ve me platformat globale TikTok, META dhe Snap Chat”, – përfundon Hazizaj.

Nga ana tjetër, zyrtarë të platformës TikTok në përgjigje të interesimit të MediaLook në lidhje me sigurinë dhe shëndetin mendor të të rinjve shprehen se “ruajtja e komunitetit tonë të sigurt është një prioritet për ne, ndaj investojmë burime të konsiderueshme në moderimin e përmbajtjes. Ne kemi më shumë se 6000 moderatorë në Evropë, përfshi edhe shqipfolës”. TikTok sqaron se “gjatë tremujorit të fundit të analizuar në vitin 2024, mbi 95% e përmbajtjeve që shkelin politikat për sigurinë, civilizimin, shëndetin mendor dhe sjelljen, si dhe sigurinë e të rinjve, është hequr në mënyrë proaktive, përpara se dikush ta raportonte”.

Aldor Nini – Drejtues i ACROMAX

Për drejtuesin e ACROMAX Albania, Aldor Nini, kompani e specializuar për filtrimin e përmbajtjeve në platformat digjitale, TikTok është një nga kompanitë me përqindjen më të lartë të filtrimit të materialeve problematike: Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2024, TikTok ka bllokuar mbi 14 mijë video në mënyrë automatike për shkak të përmbajtjeve problematike, pa i raportuar dikush. Kjo tregon që sistemi dhe filtri funksionon. Këto video përfaqësonin 91% e materialeve problematike dhe vetëm 9% nuk janë kapur. Kjo është një nga përqindjet më të larta që kam parë unë në historinë e filtrimit të materialeve problematike në një platformë”, – analizon Nini.

Ekspertët e komunikimit: Mbyllja e TikTok për fushatë zgjedhore! Precedent i rrezikshëm që cenon lirinë e shprehjes   

Më shumë se një përpjekje për të rritur filtrat mbrojtës të platformës për përmbajtjet e dëmshme që ndikon në shëndetin dhe sigurinë e të rinjve shqiptarë, ekspertët e medias dhe komunikimit e shohin vendimin për mbylljen e TikTok si një përpjekje për të goditur një rrjet të pakontrollueshëm që favorizon grupimet konkurrente politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ervin Goci – Pedagog i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit

Për pedagogun e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Ervin Goci, vetë koha dhe nxitimi kur propozohet mbyllja e TikTok, nuk mund të mos ketë lidhje me fushatën zgjedhore: “…është e qartë që kemi të bëjmë me një manovër elektoraliste tipike, që bëhet me një synim konkret dhe praktik që është pengimi i kryerjes së fushatës nga aktorë konkurrent, me performancë më të mirë dhe jashtë kontrollit të mekanizmave dhe strukturave e aparateve që përdor pushteti për të ndikuar komunikimin virtual. Sipas Gocit “TikTok është ende një platformë në gjendje “të egër” dhe ka një mënyrë funksionimi që nuk kontrollohet dot nga një dorë, por është e lidhur shumë me individin. Kemi të bëjmë me një media të pakontrolluar dhe këtu qëndron dhe fuqia e saj”.

Ndërsa eksperti i komunikimit Erlis Çela e konsideron vendimin si një masë represive ndaj mediave dhe platformave të komunikimit: “Logjika që çon në vendime për ti vënë drynin mediave apo mbyllur platformat e rrjeteve sociale, është antidemokratike dhe ngjason me qasjen e vendeve totalitare. Së dyti, kjo vendimmarrje nuk është mbështetur në asnjë studim shkencor serioz, analiza po konsultim me ekspertët, studiuesit dhe njohës të fushës”. Sipas pedagogut Çela kemi të bëjmë me një “vendimmarrje e cila bazohet në një qasje populiste dhe logjikën e manipulimit të publikut”.

Blerjana Bino – Autore e “Safe Journalist Albania”

Drejtuesja e organizatës SCiDEV, Blerajna Bino ngre shqetësimin se një vendim i marrë në këtë mënyrë rrezikon të kthehet në një precedent të rrezikshëm për censurën e platformave: “Deri më tani nuk është publikuar asnjë dokument zyrtar, vendim formal apo raport i hollësishëm që të justifikojë në mënyrë ligjore dhe procedurale mbylljen e TikTok-ut. Kjo sjell paqartësi mbi bazën ligjore, si dhe krijon një precedent të rrezikshëm për mbyllje apo kufizim të platformave të tjera në të ardhmen”. Sipas Binos konsultimi ka qenë i paplotë, madje nuk është publikuar as raporti i konsultimit me prindërit. “Një vendim me një impakt kaq të madh mbi lirinë e shprehjes”, – thekson studiuesja, “kërkon detyrimisht një konsultim të gjerë, në mënyrë që të shmangen vendimmarrjet arbitrare”.

Ndërkaq, edhe Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias në Parlamentin e Shqipërisë, Ina Zhupa ngre shqetësimin se mbyllja e rrjetit social do të cenonte të drejtën kushtetuese të lirisë së shprehjes. Duke sjellë në analogji rastin në SHBA, Zhupa thekson se “aty diskutimi është zhvilluar në Senat, Kongres dhe ka vendimmarrje të Gjykatës Supreme, ndërsa në Shqipëri diskuton, vendos dhe shpall vetëm kryeministri Rama”. Për Kryetaren e Komisionit të Edukimit dhe Medias, pas vendimmarrjes së Presidentit Trump, shanset për mbylljen e TikTok janë ekstremisht të ulta.

Pas urdhrit ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Trump për të zgjatur afatin e ndryshimit të pronësisë nga platforma TikTok në SHBA, edhe diskursi publik i kryeministrit Rama ka qenë me tone të ulta. Hera e fundit që Kryeminstri Rama foli për mbylljen e TikTok ishte gjatë një aktiviteti në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit. Kreu i qeverisë tha se mbyllja e platformës është zgjidhja e vetme për momentin, ndërsa shtoi se dialogu me platformën vijon dhe se vendimi mund të rishikohet sapo platforma të paraqesë sugjerimet për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur rreziqet për përdoruesit.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.