e mërkurë, 12 shkurt, 2025

Kriza e universiteteve dhe institucionet e moskomunikimit

MediaLook off

Protestat e studentëve e tronditën disi shoqërinë tonë të mykur dhe të
ndryshkur. I nisi kush i nisi, si i nisi dhe përse i nisi, nuk ka pikë
rëndësie. U bashkua një turmë të rinjsh e të rejash studentë, e gëzuar, e mençur,
e shkathët, plot ironi dhe mllef që protestoi për ditë të tëra duke përqeshur
politikën, arsimin, ekonominë, nivelin e dobët të demokracisë shqiptare, e
gjithçka tjetër që rëndon mbi brezin e ri!

U brohorit, u shkruajtën parulla, u hodhën dhe u pritën batuta, u kërkua
dialog, u bë monolog, u bisedua, gjithçka u vu në dyshim.

Ishte një tronditje e madhe shoqërore. Pa kokë. Sigurisht sepse askush nuk
vendos në pikëpyetje të ardhmen e tij për të dalë zëdhënës i protestës në këtë
shoqëri hakmarrëse politikisht që Shqipëria ka prej dekadash.

Por, një pyetje mbetet dhe kërkon përgjigje: Gjithë këto institucione që
kemi përse heshtin? Përse nuk bënë dhe nuk bëjnë detyrën e tyre? Përse janë
paralizuar në kolltukë pa rrota si tetraplegjikë? Përse janë bërë si ata
majmunët që as shohin, as dëgjojnë, as flasin, madje as nuk masturbohen, do të
thoshim nëse do t’i mbeteshim metaforës të katër majmunëve që simbolizojnë
moskomunikimin? Përse i paguajmë me taksat tona? Po ata që i drejtojnë apo
punojnë aty përse nuk bëjnë detyrën?

Le t’i marrim disa me radhë.

Janë në fillim agjencitë që varen nga ministria e arsimit dhe sidomos
ASCAL-i që merret me sigurimin e cilësisë dhe KALKSH-i që është agjencia që do
të duhej të përpunonte strategji për arsimin e lartë.

Nuk u vjen turp profesionalisht që derisa plasën revoltat studentore nuk
thanë asnjë fjalë, nuk lëshuan asnjë thirrje publike, nuk dërguan asnjë sinjal
në media a në rrugë zyrtare për çka do të ndodhte? Dhe kur nuk kanë aftësi parashikuese,
përse i duam atëherë? Përse paguajnë me taksat tona memurë dhe individë të
paaftë, profesionalisht tetraplegjikë, përse mbajmë në këmbë institucione të
paralizuara?

Si nuk ka bërë zë ASCAL-i për të na treguar me ndonjë studim se ku nuk ecën
matja e cilësisë të institucioneve tona universitare? Si është e mundur që
KALKSH-i që i kanë besuar me ligj udhëheqjen mendore dhe analizën e arsimit të
lartë nuk ka bërë asnjë deklaratë ose ka ndërmarrë ndonjë diskutim publik për
gabimet e rënda, disfatat, orientimin e gabuar të arsimit tonë të lartë?

Çfarë bëjnë xhanëm kur nuk bëjnë detyrën e tyre!!!

Le t’i harrojmë për një çast. Po INSTAT-i me çfarë të dhënash na tregon se
gjendja e studentëve ishte në atë pikë sa do të shpërthente në revolta dhe
protesta. Si nuk ka bërë një raport me të dhëna të plota e të besueshme për të
treguar gjendjen ekonomike të studentëve, për studimet universitare që janë të
papërballueshme nga mijra familje shqiptare! Si nuk na tregoi një herë për
papunësinë e rëndë intelektuale. Për varfërinë studentore as që bëhet fjalë!
Kush e ka penguar në fakt që të arrinte të bënte prognoza prediktive,
parashikuese, mbi bazën e të dhënave që mbledh?

A nuk mban përgjegjësi? Po tani çfarë bën që nuk na jep një sinopsis të së
ardhmes?

Përse ka mbyllur gojën, pasi kishte mbyllur veshët dhe sytë? Përse e paguan
qeveria një herë?

Baza e të dhënave statistikore duhet të jetë si një platformë që duhet të
ndjeki edhe dridhjet më të lehta tektonike të shoqërisë. INSTAT-i ynë fle
gjumë!

Hajde ta lemë edhe atë. Po ministritë që tani po dalin dhe po na thonë se
çdo ministër do të na marrka në patronazh një fakultet!!! Krejt për të qeshur
dhe për të qarë. Ik o ministro bëj punët e tua në zyrë dhe mos u ngatërro me
universitetet! Pse sa herë ndrohen ministrat do të ndryshohen edhe bartësit e
paternalizmave mbi universitetet? Ministritë heshtin dhe nuk flasin për
detyrimet e tyre që kanë edhe për arsimin e lartë.

Pa të na thotë ministria e bujqësisë se sa agronomë, veterinerë, biologë,
etj., ekologjistë, etj., i duhen zonave tona rurale për njëzet vjetët që do të
vijnë! Është njësoj sikur t’i kërkosh Nostradamusit se kur do të bjerë tërmeti
i parë në hënë në shekullin XXII.

Na thotë dot ministria e arsimit se sa mësues në sistemin parauniversitar i
duhen Shqipërisë në 50 vitet që vijnë në mënyrë që të orientohen fakultetet e
mësuesisë në diplomimin në profesionet përkatëse? As është kthyer nga ajo anë.

Na thotë dot ministria e ekonomisë se në çfarë profesionesh priten të hapen
vendet e reja të punës në Shqipërinë e dekadës që vjen? Në vend të merren me
patronazhe, me takime me prindër, a me budalliqe të këtij lloji le të
përballojnë detyrat e tyre pa realizimin e të cilave universitetet mbesin pa
busull.

Mos flasim për Akademinë e Shkencave e cila as sheh, as dëgjon, as nuhat, as
flet, as “masturbon”!

Ka kohë që është ulur në kolltukun paraplegjik dhe vegjeton si bimë shumë
vjeçare. Me çfarë do të merrej Akademia e Shkencave nëse nuk merrej pikërisht
me gjendjen e kërkimit shkencor, me shkencëtarët e ardhshëm, me dijen
universitare si orientim strategjik? Heshtin akademikët sikur nuk ka ndodhur
asgjë. Nuk guxojnë të flasin sepse kanë frikë se tërheqin inatin qeveritar dhe
pastaj kushedi çfarë ndodh me platformën e gjoja rinovimit që Akademia e Shkencave
dhe Ministria e Arsimit kanë gatuar si gjellë e pashijshme, gatuar pa kripë,
mbetur pa erë, aromë dhe shije!

Si nuk u vjen turp gjithë atyre akademikëve që heshtin duke marrë honorare
dhe qarkulluar fonde kur një fjalë nuk dinë të thonë, një debat nuk dinë të
hapin. Merren me yjet, dhe nuk hedhin dot një vështrim mbi atë që po ndodh në
inteligjencën dhe dijen kombëtare.

Por, t’a lemë edhe Akademinë e Shkencave në kolltukun e vet tetraplegjik dhe
të pyesim për bordet e universiteteve. Kanë vite që i rrjepin universitetet me
honorare gjoja se do të bënin drejtimin administrativ të tyre. Lëre se çfarë
kanë katranosur. Dhe tani heshtin! Flasin gjoja senatet se do të ulin
tarifat!!! E kush i autorizon senatet të merren me anën financiare dhe
administrative!!! Bordet heshtin. Janë masturbuar si majmunët me vite të tëra,
tani nuk shohin, nuk dëgjojnë nuk flasin po si ata katër majmunët e metaforës
të moskomunikimit!

Institucionet tona heshtin. Duket se drejtuesit dhe nëpunësit e tyre fshihen
pas zotit kryeministër. Atëherë perse i duam? Le të kemi vetëm kryetarin e
qeverisë dhe mos kemi as borde universitetesh, as akademi shkencash, as agjenci
të ministrisë të arsimit, as INSTAT, as dikastere, as gjë prej gjëje. Ata vetëm
harxhojnë paranë tonë publike dhe janë krejt të paralizuara.

Çfarë i duam?

Por, përpara sesa të themi këtë, le të pyesim se përse janë bërë
tetraplegjike institucionet tona në kohë krize?

Sepse janë mbushur me militantë dhe me servila që nuk guxojnë të thonë një
mendim jo kundër, por as të pavarur nga pushteti dhe politika.

Sepse sistemi i zyrave tona është tërësisht i centralizuar. Piramida zbret
nga lart poshtë. Ata që janë poshtë përsërisin ato që shohin në sytë e atyre që
janë lart. Prandaj bosat tanë politikë, sikurse i quante Maks Weberi nuk kanë
këshilltarë, sepse këshilltari ka frikë të këshillojë.

Sepse kuadri ligjor i funksionimit të institucioneve tona është i tillë që i
paralizon ato. Sepse nuk do shoqëria dhe politika të ketë pluralitet zërash institucionalë.

Gjeli nuk do pula në qymez.

Ja kështu jemi ne.

Gjithë ajo krizë universitare, kam pritur ndonjë mbledhje, deklaratë, a
debat në kuadrin e konferencës të rektorëve. Kujt mo kujt? Je në vete mo? Të
mblidhet konferenca e rektorëve që të kryejë detyrën e tyre sipas ligjit tani
që në Universitete ka rënë flaka dhe kolera?

Hesht edhe konferenca e rektorëve. Më kujtohet pak a shumë një vjershë ruse
për fëmijë ku të gjithë me përjashtim të lumtit Vollga flenë!

Heshtje varri!

Të gjithë flenë, edhe minjtë, edhe dhelprat dhe arinjtë!

Vetëm dialogje të zotit kryeministër me grupe studentësh aty këtu. Por, me
ata që nuk flasin, jo me ata që flasin. Vetëm disa asamble pedagogësh kanë
ngritur zërin. Ato anatemohen nga politika në fuqi dhe nga mediat e saj.
Mbylleni gojën edhe ju!

Askush nuk duhet të flasi;
Askush nuk duhet të ngrejë probleme!
Askush nuk duhet të parashikojë!

As mos flisni,as mos dëgjoni, as mos nuhasni, vetëm masturbohuni me fjalë
nëpër studio televizive a Kuvend!

Dhe pastaj një shoqëri që nuk sheh dhe nuk nuhat nuk di nga i vjen e
papritura. Atë që nuk e sheh dot është e detyruar t’a ndjejë si shuplakë, si
thikë në palcë!

Ja përse institucionet nuk ndjejnë. Janë anestezuar, janë mpirë! Janë bërë
dru!

Marrin rrogat dhe rrinë!

Si struci kanë zhytur kokën në rërë!

Shënim: Titulli në origjinal i autorit është “Kriza e universiteteve dhe paraliza e institucioneve

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.