Administrata e Presidentit Donald Trump nisi të shtunën shkurtimet drastike në “Zërin e Amerikës” dhe programet e tjera qeveritare pro-demokracisë, ndërsa punonjësit e VOA-s janë dërguar me leje të paguar.
Të premten në mbrëmje, pak pasi Kongresi miratoi projektligjin e tij të fundit për financimin, Trump urdhëroi administratën e tij të reduktojë funksionet e disa agjencive në minimumin e kërkuar nga ligji. Kjo përfshinte Agjencinë Amerikane për Median Globale, e cila mbulon Zërin e Amerikës, Radio Europa e Lirë, si dhe Radio Marti, e cila transmeton lajme në gjuhën spanjolle në Kubë.
Pas shkurtimeve Reporterët pa Kufij reaguan duke “dënuar vendimin si një largim nga roli historik i SHBA-së si mbrojtëse e informacionit të lirë dhe i bën thirrje qeverisë amerikane të rikthejë VOA-n, duke nxitur gjithashtu Kongresin dhe komunitetin ndërkombëtar të ndërmarrin masa kundër këtij hapi të paprecedentë.”
Ndërsa Elez Biberaj, ish-drejtori i seksionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, e cilësoi vendimin si një akt që cmontoi një pasuri kombëtare të SHBA-së: “Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe i së vërtetës për qindra miliona anembanë globit, u hesht sot në emër të reduktimit të burokracisë federale. Për më shumë se tetë dekada, VOA ka qenë një forcë jetike në promovimin e idealeve demokratike të Amerikës, duke prezantuar besnikërisht politikat e SHBA-së, avancimin e interesave kombëtare dhe duke shërbyer si një burim i besuar i lajmeve të besueshme për miliona në rajonet e privuara nga informacioni. Vendimi për të çmontuar një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Amerikës do t’i shkaktojë dëm të thellë imazhit të SHBA-së, interesave të saj globale dhe promovimit të vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë. Sot shënohet një kapitull thellësisht i trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën” – deklaroi Biberaj ne profilin e tij ne Facebook.
Mbyllja e VOA vjen 83 vjet pas nisjes së transmetimeve të para, ndërsa më 13 maj 1943, nga studiot e atëhershme të Nju Jorkut, Zëri i Amerikës, foli për herë të parë në shqip. Në vitin 1945, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, shërbimi shqip u mbyll. Por ndërsa Evropa u nda nga perdja e hekurt, për koiçidencë, po më 13 maj të vitit 1951, Shërbimi Shqip u rihap, për t’i vazhduar transmetimet pandërprerë deri në ditët e sotme.
Fundi i viteve ’80 solli ndryshime historike në Evropën Lindore dhe Bashkimin Sovjetik. Disa besojnë se për këto ndryshime, një ndikim pati edhe Zëri i Amerikës si dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë perëndimorë.
Fundi i viteve ’90 u dominua nga luftrat në Ballkan. Në kohën kur regjimi i Millosheviçit, filloi fushatën e spastrimit, duke dëbuar gati gjysmën e popullsisë shqiptare nga vendi dhe, kur mediumet në gjuhën shqipe në Kosovë u detyruan të mbylleshin, Zëri i Amerikës, që në atë kohë transmetonte edhe në valë të shkurtëra, u bë një nga stacionet kryesore, ku shqiptarët merrnin informacione se çfarë po ndodhte në vendin e tyre. Përmes një linje të posaçme telefonike të Zërit të Amerikës, banorët e zhvendosur mund të lidheshin me njeri tjetrin, për të ditur ku ndodheshin.
Me zhvillimin e teknologjisë, ndërsa televizioni po i zinte gjerësisht vendin radios, Zëri Amerikës, iu përshtat ndryshimeve të reja. Më 9 nëntor, 1999, u transmetua emisioni i parë televiziv Ditari dhe në maj të vitit 2015, u transmetua emisioni i fundit i radios.
Por ndërsa radio u mbyll, transmetimet e Zërit të Amerikës, u zgjeruan edhe në platforma dixhitale. Zëri i Amerikës është financuar nga Kongresi Amerikan, por politika e tij editorial ka qenë e pavarur, e mbrojtur me ligj nga ndikimi qeveritar.
Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.