Propozohet lirimi i të dënuarve të përjetshëm! Alarmi u provokua nga drafti i Kodit të Ri Penal që u publikua të premten e 25 korrikut për diskutim publik.
Publikimi shënon hapin e dytë pas hartimit, por që ka edhe një rrugë të gjatë deri tek miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Dy nenet e këtij drafti flisnin pikërisht për lirimin para kohe me kushte të të dënuarve me burg të përjetshëm, përkatësisht neni 181 dhe 182.
Pika e parë e nenit 181 e bën shumë të qartë që një i dënuar me burg të përjetshëm mund të pretendojë lirimin para kohe me kusht vetëm nëse ka kryer 35 vjet burg.
Për të vijuar argumentin do të marrim në konsideratë kontigjentin aktual të të dënuarve me burg të përjetshëm.
Shumica e tyre kanë kryer krimet për të cilat janë dënuar përgjatë intervalit të moshës 20-30 vjeç.
Matematikisht, më i vogli prej tyre mund të kërkojë lirimin para kohe me kusht kur të ketë mbushur 55 vjeç dhe më i madhi, teksa ka mbushur moshën 65 vjeç.
Ekspertët e burgjeve mendojnë se mbi moshën 65 vjeç energjia negative kriminale tek një individ bie ndjeshëm.
Ky arsyetim është vetëm një pjesë nga parashikimet ligjore që janë në draftin e kodit penal. Sepse, një i dënuar i përjetshëm ka vetëm të drejtën për të kërkuar lirimin para kohe me kusht, teksa ka vuajtur 35 vjet burg.
Kjo kërkesë do të kalojë fillimisht nëpër filtrat e strukturave të burgjeve, më pas, është sërish gjykata që vendos për lirimin e tij.
Në rastin më fatlum kur ai mund të lirohet, do të jetë për pesë vjet në një monitorim të vazhdueshëm nga Shërbimi i Provës, e në rastin e një shkelje qoftë dhe modeste të ligjit, individi kthehet në burg për të mos pasur kurrë më mundësinë e lirimit me kusht. Kthehet në burgimin e përjetshëm!
Këto mekanizma filtrues, kontrollues dhe ndëshkimorë (por edhe të tjerë që mund të shtohen ose saktësohen gjatë diskutimit nga profesionistët e ligjit) janë garancia për suksesin e kësaj mundësie.
Alarmi me të cilën u përcoll lajmi tregon kundërshtim për propozimin dhe frikë nga lirimi i kësaj kategorie, me të drejtë, duke e ilustruar frikën edhe me emra të përvetshëm që e kanë terrorizuar shoqërinë shqiptare.
Frika nga dështimi nuk është argument për të mos e provuar.
Pasi kemi mposhtur frikën, cila arsye mbetet për të mos ju dhënë këtyre të dënuarve të përjetshëm një mundësi të dytë?
Një arsye mund të jetë mllefi i të afërmve të viktimës në veçanti, dhe shoqërisë në tërësi, për natyrën dhe mekanizmin e krimit.
Viktima ka të drejtën e saj të fjalës përgjatë procesit gjyqësor kur do të diskutohet lirimi para kohe me kusht. Qëndrimi i saj është thuajse vendimtar.
Mjeku, teksa të lë në dorë recetën për medikamentet që do të përdorësh për të luftuar sëmundjen që të ka sfilitur të kujton (si për të qetësuar nga paniku teksa sheh listën e gjatë e ilaçeve) që nëse përmirësohesh më shpejt, mund edhe ti ndërpresësh ilaçet. Pak kush e ka përfunduar “koshin” e medikamenteve.
Të gjithë pretendojnë se bëhen mirë dhe e ndërpresin marrjen e tyre.
Paralelisht me këtë logjikë çdo i dënuar, mbi të cilin sistemi i vuajtjes së dënimit ka pasur efektet më të mira të pendimit, integrimit, dhe rehabilitimit kërkon ndërprerjen e masës së izolimit në burg dhe kthimin pranë familjes dhe shoqërisë.
Përse të dënuarit e përjetshëm duhet të përjashtohen nga kjo logjikë arsyetimi? Bashkë me mohimin që i bëjmë kësaj kategorie për tu liruar me kusht, kemi rrëzuar të gjithë themelin e ndërtimit të sistemit të burgjeve (që edhe kështu është gjithashtu propagandistik) sipas të cilit, burgu shërben për tu penduar, integruar apo rehabilituar.
Sistemet europiane të dënimit e aplikojnë këtë të drejtë për të dënuarit e përjetshëm.
Bashkimi në familjen europiane kërkon edhe përafrimin e sjelljes ndaj atyre që cenojnë rëndë rendin publik.
Direktiva e BE-së është e qartë për aplikimin e kësaj sjelljeje ndaj kontigjentit të dënuarve përjetë. Edhe GJEDNJ ka qenë e qartë në vendimet e saj.
Por në rastin shqiptar, kontigjenti i të dënuarve të përjetshëm ka edhe një veçori tjetër.
Shumica e të dënuarve të përjetshëm lidhen me vitin 1997, kur shteti dorëzoi autoritetin tek bandat.
Për më tepër, politikanët e amnistuan veten që në marsin e atij viti, pa lejuar fare gjykimin penal të tyre.
Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.