e martë, 11 shkurt, 2025

Reportazhi që sfidoi diktaturën, Arshin Xhezo: Shkrim për humanizmin e shqiptarëve, jo akt rebelimi

MediaLook off

Është një fakt i ditur botërisht tashmë se Shqipëria është ndër vendet e vetme në Evropë, ndoshta, dhe më gjerë, ku 2260 hebrenjtë e ardhur para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (Sinani, 2009) gjetën shpëtim dhe nuk ranë në duart e pushtuesve nazist.

Po ashtu është e njohur se ndaj hebrenjve nuk pati antisemitizëm gjatë periudhës komuniste, ndonëse Komiteti Qendror i PPSH-së, madje vetë diktatori Enver Hoxha e konsideronte “Izraelin kobure në duart e Amerikës”

E megjithatë, pavarësisht politikës zyrtare, më 8 Prill 1988, në faqen e parë të organit kryesor të këtij Komiteti, gazetën Zëri i Popullit, me kryeredaktor Arshin Xhezon, botohet reportazhi i parë mbi ruajtjen dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Reportazhi mbi hebrenjtë në faqen e parë të “Zëri i Popullit”, 8 Prill 1988

Artikulli në fjalë, i cili mbante emrin e gazetarit Fahri Balliu, u pasua nga një akuzë politike nga zonja Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit Hoxha. Kjo e fundit fajësonte kryeredaktorin e Zërit të Popullit, Arshin Xhezo, se me botimin e këtij reportazhi kishte bërë politikën amerikane. Sipas saj ky ishte dhe një shkrim kundër Enver Hoxhës i cili nuk bënte asnjë dallim mes izraelitëve dhe imperialistëve amerikanë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit, gazetari Elvin Luku ka nxjerrë nga arkivat pikërisht këtë shkrim me titull “Streha e madhe e shpirtit të popullit”, i cili ribotohet për herë të parë pas 29 vjetësh, e bashkë me të ka rikthyer dhe qëndrimin e kryeredaktorit Arshin Xhezo, që theu heshtjen dhe sqaroi motivet e vërteta të këtij botimi në një intervistë në vitin 2012.

Reportazh – Streha e madhe e shpirtit të popullit

Berat 1942. Në lagjen “Murat Çelepia” pranë një xhamie dhe sahati troket një portë dhe një çezmë në krah. Hapet dera. Ishin dy familje hebreje. I zoti i shtëpisë që hapi derën i pa të largët e të drobitur, u qeshi e u tha:

-Bujrum!

-Samuel! – tha emrin njëri nga refugjatët.

-Ismail? Bujrum! – Ja ktheu emrin i zoti i shtëpisë dhe e tërhoqi për krahu. Tjetri nguli këmbë i habitur e s’lëvizi duke thënë me pëshpërimë.

– Çifut, çifut!

-Njeri, njeri! – belbëzoi plaku dhe mori në krahë djalin e tyre katërvjeçar. Ata e ndoqën pas. Vinin nga Hungaria ku Samueli kish parë me sy t’i digjej i vëllai me benzinë nga nazistët. Familja ku bujtën, me një tufë fëmijësh, i vendosi në njërën anë të shtëpisë dhe u hapi një derë nga ana e prapme e saj. Kjo gjë duhej bërë doemos dhe sa më parë për të siguruar të përndjekurit. Përballë kësaj shtëpie banonte një pilot fashist. Dhe një major fashist më poshtë. Por pesë vetat e fshehur jetonin sikur të mos qenë!.

Mbrëmave vonë, si në traditën e shtëpive beratase shkëmbenin vizita. Të zotët e shtëpisë gostiteshin te bujtësit  me fara kungulli të pjekura – zakon i tyre.

Në një nga këto netë Samueli që ishte rrobaqepës u qepi vogëlushëve  të shtëpisë nga një kostum (vishnin për herë të parë në jetën e tyre) e të nesërmen u bëri dhe fotografi. Dhe ky kujtim ruhet.

Po sot djemtë e kësaj shtëpie nuk e pranojnë kurrsesi të përmendet emri i tyre si bamirës, por thjesht si miq. Ky nuk është vetëm amanet i babait, por një zakon, një traditë.

-Nuk ziret në gojë mirësia dhe buka – përsërisnin fjalët e babait, që tani nuk është më, kur u kujton mikpritjen që u kanë bërë të përndjekurve. Ndaj dhe fotografinë edhe pse ta japin, kërkojnë që të botohet pa diçiturë, pra pa emrin e familjes së tyre që i ka ruajtur nga vdekja e sigurt.

Po në këtë kohë dhe në lagjet Mangalem e Goricë kishin ardhur familje të tjera hebreje. Sot dëshmohet se kanë qenë rreth dyzet familje të cilat kishin shpëtuar përmes masakrash e krimesh të shpikura nga nazistët. Dhe ja ç’tregoi Ysyf Qolja.

-Këtu në lagjen tonë banonte një Jakov me gruan, Sonjën, dhe vajzën Raçela. Ata luanin mendsh për ne. Pse? Ata qenë të mbyllur e të heshtur, si të mos qenë. Ja këtij Jakovit i kishin vrarë tre vëllezër dhe ndaj qenë aq të mbyllur. E ne, luftë e gjak qe, po zërin të lartë e kishim, çoku edhe shaka bënim. Ja qe një grua atje në “Murat Çelepia” që thërriste ku kishte hebrenj: “Hapini ore dyert! Mos kini frikë! Jeni mes njerëzve. S’u lëmë ne t’u gjejë gjë”.

Dhe ata qenë mes njerëzish të mirë. Njerëz aq të çiltër e kofidentë me të panjohurit. E jo vetëm kaq po s’mbahet mënd asnjë nga këtë hebrenj të bënte pazarët. Ata të përndjekur furnizoheshin me trastat e popullit të Beratit. Që nga shkurtimet e emrave nga Avram – Vane, Isak – Çuke, ndjehet familjariteti mes banorëve dhe të ardhurve.

Po ja një ditë në Berat në mes të nëntorit hynë nazistët. Ulërima e tankeve sikur e shpalosi edhe njëherë këtu katrahurën raciste. Gestapoja e informuar udhës bëri të njohura edhe një herë ligjet e saj për hebrenjtë.

Por refugjatët gjetën një popull që vetëm me një të thirur, “O i zoti shtëpisë, a don miq?” të çelte bashkë me derën e odës edhe zemrën. Të falte besë e gaz. Kur nazizmi përparonte nëpër Evropë, nën një llahtari të paparë u ngrit duman vala e çafrashitur dhe e tromaksur e hebrenjve që banonin në Gjermani, Austri, Poloni, Hungari, Jugosllavi e gjetkë.

Atë kohë, kush zbulonte dhe denonconte një hebre shpërblehej dhe konsiderohej bashmik i nazizmit që terrorizonte Evropën mbarë, kurse ata, njerëzit e thjeshtë që i mbronin, konsideroheshin armiq dhe gjithashtu “shpërbleheshin”, por në një mënyrë tjetër, sikurse vetë hebrenjtë e strehuar.

Historia e kampeve të përqendrimit, krematoriumet dhe eksperimentet çnjerëzore me organet e njeriut janë monografia e shifrës shumëmilionëshe të hebrenjve të asgjësuar. Ishte një gjah zbavitës kapja, vrasja, krimi ndaj një hebreu.

Berati s’është i vetëm që i ka shembujt e strehimit të hebrenjve. Po është Vlora, Elbasani, Korça etj., etj… Me të drejtë thuhet se Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në Evropë ku nazistët gjermanë nuk zunë dot asnjë hebre, sepse populli shqiptar i strehoi në shtëpitë e tij, i fshehu nga nazistët e i mbrojti si bijtë e vet.

Në bllokun e shënimeve lexojmë diçka që na e pat treguar dikur veterani Vasil Bulli: Të strehoje një hebre në kohën e nazizmit e kishe mbushur shtëpinë me dinamit. E s’të mbetej nam e nishan. Po më kujtohet një Jozef, një djalë vetullzi që rrinte i larë e i krehur aq pastër e mirë. Po erdhi nazizmi në neve e iku, Jozefit, s’i lamë t’i prishej as hekuri i pantallonave.

Ndërsa Nesti Leshnja tha:

-Hebrenjtë në Korçë erdhën nga Selaniku. Një familje prej tyre qëndroi te Kostandin Xega, profesor i liceut. Aty te profesori qëndroi, po e dinte tërë fisi i Saqellarëve e ata të lagjes. I dinte tërë Korça po se çelte gojën. E hebrenjtë këtu në Korçë u habitën fare ngaqë në mëhallë linin dyert e shtëpive hapur. E shtynje derën, futeshe brenda. Dhe krijuan besim tek ne.

Edhe Dhimitër Dinaço rreth kësaj teme kujtoi:

-Një familje hebreje burrë e grua e një vajzë u nda në dy pjesë.  Nënë e bijë ndenjën këtu, kurse burri u çua në mal. Ai s’e tregoi emrin po di që qëndroi në mal.

Ylli i verdhë si damkë, dyqanet e posaçme të hebrenjve, ndalimi për ta i notit e argëtimit ishin shenja e masa të publikuara për të identifikuar hebrenjtë. Të gjithë i dinin këto, po kjo populli nuk e trembte.

Komanda gjermane bëri një përpjekje nga marsi i 1944-ës t’i grumbullonte hebrenjtë në një shesh të Beratit ku qenë vrarë pak ditë më parë 40 ushtarë fashistë. Sheshi mbeti bosh. Nisi terrori dhe bastisjet.

Hebreja Raçelë, e mbyllur në një katua qëndiste ditë natë lule e motive nga vendi i saj. E po ti shihje ato qëndisma qenë një ditar origjinal. Një Ana Frank në Berat. Por ajo nuk përfundoi në kampin e përqendrimit të Bergen Belzenit.

Veterani Sulo Muzhaka, ish kryetar i këshillit në lagjen “Murat Çelepia” tregon:

-Sa hynë nazistët në këshillat morëm porosi dhe për sigurimin e jetës së një hebreje. Një pjesë i nxuarrëm nga qyteti në drejtim të Shpiragut e pyjeve ku të mundnin.

E në ato ndarje të atyre viteve nënë Gjyfizare Qolja tregon:

-Qanin hebrenjtë kur iknin dhe thonin: A ka Berat tjetërkund? – Ka Berat se ka Shqipëri, ka shqiptarë – ja kthenin ata të këshillit

Të tjerë kujtonin një familje tjetër hebreje, atë të Baharit, që kishte djalë Asherrin, grua Irenën dhe vajzën Xhuljetë.

-Do thënë të tëra! Është çështje nderi dhe mirësie, e mirësitë s’vdesin – lexojmë përsëri kujtimet e Vasil Ballit.

E biseda kujton Isak Bezhën e strehuar në Korçë e Durrës. Ndërsa dy të tjerë të arrestuar në Elbasan nxirren prej andej dhe u shpëtohet jeta.

Dhe vetë enumeracioni i fakteve është një ngarkesë dhe ngjyresë sa poetike aq dhe realiste. Shpirti i madh i popullit është një strehë e madhe. 

Gazetar: Fahri Balliu

Shënim autori: Reportazhi “Streha e madhe e shpirtit të popullit” në origjinal përmban fjalën “çifut” e cila është zëvendësuar me fjalën “hebre”, për shkak të konotacionit racist që përmban. Megjithatë, çdo gjykim, bëhet duke e vendosur ngjarjen në kohë dhe kontekstin kur ajo ka ndodhur.

Në dhjetor të vitit 2012 publicisti i njohur, ish-kryeredaktori i Zërit të Popullit, Arshin Xhezo në një intervistë të gjatë në shtyp, me titull Izraelitët dhe fisnikët flet për herë të parë për botimin e këtij reportazhi. MediaLook ka shkëputur vetëm arsyetimin e z. Xhezo nga kjo intervistë e konceptuar në tre pjesë.

Elvin Luku: A mund të na tregoni, si ju lindi ideja dhe thyet një tabu, duke botuar në gazetën “Zëri i Popullit” një shkrim për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri? Si reaguat, kur, siç kemi lexuar, zonja Nexhmije Hoxha, ju akuzoi se me këtë shkrim ju kishit bërë politikën amerikane, dhe kundër Enver Hoxhës, i cili thoshte se, “Izraeli është kobure në duart e imperializmit amerikan”?

Arshin Xhezo: Ju kërkoj ndjesë, paraprakisht, dhe dua të mos më keqkuptoni, ngaqë kjo pyetje, më bën të qesh. Kjo, sepse më kujton intervistat dhe shkrimet e jo pak trimave pas beteje, aq shumë në modë në ditët tona.

Me një paturpësi shembullore, ata, të dalluar në atë kohë, vetëm për servilizëm e lajka, sot e gjithë dita nuk pushojnë të mbushin faqet e gazetave, ekranet e TV-ve, por  të botojnë edhe libra, ku tregojnë si “ia përplasën në fytyrë Enverit”, si ua “thyen dhëmbët Mehmetit e Ramizit”, dhe plot broçkulla e përralla të kësaj natyre.

Mendoni vetëm për një çast, si mund të ndihen e fyhen, duke dëgjuar këta “trima” ata, që vërtetë iu kundërvunë atij sistemi dhe e shkuan jetën burgjeve. “More, po ç’po bëhet kështu?!-mund të thonë: Si nuk i paskan varur për gjuhe për gjithë këto trimëri që paskan bërë, por që nuk i ka marrë vesh njeri në atë kohë? Po burgun, ku e kanë bërë? Në majë të Tomorit?! Se, në Spaç e në Burrel, ku kemi qenë ne, nja 15 a 20 vjet, nuk na i kanë zënë sytë?!”…

Në thelb, ngjarja që përmendët ju, është e vërtetë dhe shkrimi u botua në prill të vitit 1988. Është, gjithashtu, e vërtetë një akuzë politike që u bë. Por, nuk është aspak e vërtetë se mua më shkoi ndonjë çast nëpër mend të bëja ndonjë “akt të guximshëm” kundër sistemit. Kjo, edhe për faktin se ajo që u vërsul e nervozuar nuk ishte “Zonja Makbeth”, as “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, si e thërrasin sot, por “shoqja Nexhmije Hoxha”, domethënë, gruaja e Enver Hoxhës…

Sidoqë, sigurisht, isha i nervozuar nga absurditeti që dëgjova, i thashë, se shkrimi nuk është për hebrenjtë por për shqiptarët, për sakrificën dhe humanizmin e tyre krejt unikal në botë,- asnjë hebre në duart e nazistëve, -pra, një humanizëm i ngjashëm me atë  ndaj 20 mijë ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste, të cilët, edhe pse i kishin vrarë e djegur shqiptarët, nuk provuan kurrfarë hakmarrjeje, përkundrazi, shqiptarët i morën në shtëpitë e tyre, u dhanë bukë e strehë, dhe në mbarim të Luftës, i përcollën shëndoshë e mirë në Itali.

Ajo që nuk i thashë, por që e mendova më pas, kur u qetësova dhe zura të qeshja me vete për absurditetin, ishte një frazë njerëzore: “Vërtet nuk iu duket një gjë kaq e mrekullueshme”?!

Në të vërtetë, ishte edhe një gjë tjetër që mendova më pas. Para se ta firmosja atë shkrim për botim kisha një ndjesi të turbullt dhe pa logjikë, siç janë gjithnjë parandjenjat. E kam thënë, edhe një herë. I bëra atij shkrimi një redaktim të lehtë. I vura vizë vetëm emrit të një qytetari që kishte strehuar e shpëtuar në shtëpinë e tij dy familje hebreje. Ky ishte emri i tim ati…Ngjarjen në shtëpi e lashë të plotë, sa ishte, por viza e hequr mbi emrin e tim ati, m’u duk, jo mbi letër, por mbi pllakën e varrit të tij, dhe, – e vërteta – u trondita. Unë nuk kisha asnjë të drejtë t’ia mohoja këtë nderim të merituar tim ati, aq më pak, pas vdekjes. Ky peng do të më ndjekë gjithë jetën…

Shënim: Në reportazhin “Streha e madhe e shpirtit të popullit”, ish-kryeredaktori i ZP-së Arshin Xhezo ka hequr emrin e të atit, Mehmet Xhezo, për të mos shpërqendruar vëmendjen e lexuesit nga akti human i shqiptarëve për ruajtjen e hebrenjve, duke rrezikuar jetët e tyre.

E vërteta është se familja e Mehmet Xhezoz ka strehuar dy familjet e hebrenjve Samuel dhe Joakim në vitet 1943-1944, gjatë pushtimit nazist, me të cilin nis dhe reportazhi në fjalë. Në shenjë mirënjohje, këta të fundit i kanë dhuruar familjes Xhezo këtë kuti me simbolin e Yllit të Davidit.

Reportazhi mbi hebrenjtë në faqen e parë të “Zëri i Popullit”, 8 Prill 1988

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.