Një grup prej 7 organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
lirisë së fjalës dhe organizata të gazetarëve i kërkuan sot
kryeministrit Edi Rama të tërheqë dy projektligjet për rregullimin e
medias në internet.
Sipas tyre, dy projektligjet rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një
vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin
asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e
urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin.
Këto organizata janë BIRN Albania, Shoqata e Gazetarëve
Profesionistë, Lidhja e Gazetarëve, AIS/Open Data Albania, Civil Rights
Defenders, Këshilli Shqiptar i Medias, Qendra Shqiptare MediaLook.
Një nga pjesëtarët e tyre, Gjergj Erebara, tha për “Zërin e Amerikës”
se ky është kufiri midis lirisë së shtypit dhe dhunimit të tij.
Të dy projektligjet krijojnë një regjistër për çdo faqe internet, dhe
krijojnë “Këshillin e Ankesave”, i cili gjobit mediat ose urdhëron
mbylljen e mediave. Projektligjet u japin të drejtë AMA-s ose tatimeve,
të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë
ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës e vetëcensurës
ekzistuese në median shqiptare.
7 organizatat thanë sot që nëse shumica socialiste do të miratojë
këto dy projektligje, demokracia shqiptare do të rrëshqasë drejt një
regjimi autoritar.
OSBE e ka ndjekur në vazhdim këtë debat dhe është përpjekur të japë ndihmën e saj për hartimin e ligjeve sa më të mira.
Përfaqësuesi i OSBE për lirinë e medias, Harlem Désir, shprehu në
tetor shqetësimin për mbylljen e mundshme të portaleve shqiptare për
shkak të sistemit të ri të regjistrimit.
Ai i shkroi një letër kryeministrit Rama ku ofroi ndihmën e vet
ligjore, m qëllimin e përbashkët për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të
shprehjes.
Në fund të nëntorit zoti Désir u takua në Vienë me kryeministrin Rama
për të vendosur një bashkëpunim mbi rregullimet e ardhshme të medias
online në Shqipëria.
Zoti Rama e quajti atë një bisedë e frytshme mbi përpjekjet për rend
ligjor në mediat online, dhe se mirëpriste sugjerime për një media të
cliruar nga shpifjet.
Ndërsa zoti Desir tha se “rregullat e reja mbi mediat online është me
rëndësi të mos pengojnë lirinë e medias dhe të shprehjes dhe as hyrjen
në internet”.
Ai e quajti këtë një nga çështjet më të ndjeshme dhe më komplekse të
kohës dixhitale, ku bashkëpunimi është pozitiv edhe për Shqipërinë.
Organizatat besojnë se vetërregullimi i medias dhe edukimi i publikut
janë mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe
jashtë rrjetit.
Ata mendojnë se të dy projektligjet e propozuara përbëjnë hap prapa në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.