Në një oborr nën hijen e xhamisë më të madhe të Tiranës qëndron njëra nga vajzat e rikthyera nga kampi Al-Hol në Siri. Ajo mban doreza në duar ndryshe nga shumë bashkëmoshatare të saj të cilat edhe pse janë të ‘’mbuluara’’ kuptohet se përditshmëria e tyre është e ndryshme nga ajo. Prej kohësh përpiqet të riintegrohet në shoqërinë prej së cilës u mor që 12 vjeç. Nuk iku me dëshirë, nuk e pyetën, nuk i thanë asgjë, vetëm se në vitin 2012 u nis së bashku me nënën e saj drejt Sirisë. Ajo nuk e dinte se vetë ajo dhe motra e saj më e vogël e cila vijon të jetë në kampin Al-Hol do të ishin do të qëndronin në zonat e kontrolluara nga grupet terroriste . Nuk e njihnin, nuk kishin dëgjuar për të, por për dy vajzat ishte thjesht një transferim jashtë vendit i cili nuk do t’u linte thjesht mbresa por do t’i ndryshonte jetën.
Edhe pse ka lindur në Tiranë, është e panjohur: vitet e saj të formimit dhe shumica e kujtimeve të saj u formuan në Baghuz dhe Raka, në Siri. Të dy qytetet u mbajtën për vite me radhë nga grupi xhihadist ISIS, i njohur lokalisht si Daesh.
Ajo ka vetëm disa muaj që është kthyer. Është ende vetëm 17 vjeç. Një vajzë qetë dhe e tërhequr; zëri i saj i butë mezi dëgjohet. Jeta në Shqipëri është një përshtatje e re dhe e vështirë, por ajo është e sigurt se largimi nga Siria ishte vendimi i duhur. “Jeta është shumë më mirë këtu, shumë më mirë se ku isha unë “thotë ajo nën zë’’.
Edhe pse jeton me gjyshen e saj që është munduar të bëjë gjithçka për të, sërish hija e viteve në Siri mbetet si një shoqëruese e pashmangshme e veprimeve, e fjalëve në arabisht, por edhe e tërheqjes emocionale. Që në veshje, pastelat e ndritshme të hixhabeve kontrastojnë me burkën e zezë të saj, një shenjë e praktikimit të dy formave shumë të ndryshme të Islamit. Ersa është e fundit e cila u largua me dëshirën e saj nga kampi Al-Hol. Ndoshta dhe në kundërshtim me nënën e saj që vijon të jetë në ferrin e Sirisë Verilindore.
Lufta dukej e largët për një fëmijë, por lufta i gjeti ata siç bëjnë luftërat. Baghuz ishte qyteti i fundit i kalifatit dikur të gjerë që ra, pas një sulmi njëmujor nga luftëtarët e koalicionit të ndihmuar nga sulmet ajrore amerikane. Babai i saj vdiq në betejë. E reja, nëna dhe motra e saj u transferuan më pas në Al-Hol.
Sipas disa vlerësimeve, ka më shumë se 50,000 gra dhe fëmijë në Al-Hol. Kampi ruhet nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), të përbëra kryesisht nga trupa kurde. Ata ruajnë gjithashtu mijëra ish-luftëtarë, të huaj si shqiptarët dhe vendas, të cilët lëngojnë në burgjet në verilindje të Sirisë.
Qeveria e Shqipërisë kishte ofruar një rrugë kthimi për çdo qytetar shqiptar që dëshironte të largohet nga kampi: gratë që mbeten atje të gjitha e dinë se si mund të lajmërojnë autoritetet dhe të fillojnë udhëtimin e tyre për në shtëpi. Nëse e bëjnë këtë, ata zhvendosen në kampin Al-Roj, rreth 50 milje në veri, ku regjistrohen emri dhe të dhënat e tyre. Nga Al-Roj, autoritetet i çojnë në shtëpi në Shqipëri.
Duke pasur këtë informacion ajo u arratis nga nëna e saj dhe u largua drejt kampit Al-Roj në fund të vitit 2022. Edhe pse braktisi nënën dhe motrën e saj Ersa është shembulli tipik se sa i vështirë por dhe i lehtë mund të jetë riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë nga kampet siriane.
Pas kthimit në Shqipëri profesionistët të cilët merren me familjet shqiptare dhe riintegrimin e tyre së pari kuptojnë shkallën e vuajtjeve që kanë përjetuar familjet. Riintegrimi për Ersën në pamje të parë dukej i lehtë por në të vërtetë nuk ishte.
Procesi i trajtimit të familjeve të kthyera nga zonat e konfliktit nuk është i njëjtë dhe i unifikuar për të gjitha shtetet. Duke u bazuar në dinamikën dhe kompleksitetin e personave të kthyer, shtetet mund të përzgjedhin mes “qasjes së ashpër” ose “qasjes së butë”. “Qasja e ashpër” ka të bëjë me ndjekjen penale dhe burgosjen e të rikthyerve, ndërkohë që “qasja e butë” konsiston në riintegrimin përmes pjesëmarrjes komunitare. Kjo e fundit e vë theksin tek roli i rëndësishëm që kanë aktorët dhe institucionet e qeverisjes vendore në trajtimin e këtij fenomeni. Në Shqipëri është aplikuar qasja e ashpër për gratë e rikthyera të cilat së fundmi akuzohen për pjesëmarrje në organizatë terroriste, ndërsa për fëmijët qasja e butë.
Proceset e rehabilitimit dhe riintegrimit për Ersën dhe gjithë fëmijët e tjerë të rikthyer kanë rezultuar një sukses në Shqipëri edhe pse sfidat ende vazhdojnë.[2] Sipas ekspertëve ”këto programe synojnë së pari të përmirësojnë mirëqenien mendore, emocionale, fizike dhe sociale të individëve, fillimisht nëpërmjet një vlerësimi të përgjithshëm të gjendjes dhe nevojave imediate që paraqesin e më pas në hartimin e një plani ndërhyrje të përshtatshëm në përputhje me nevojat e evidentuara. Plani i ndërhyrjes nëpërmjet shërbimeve kalon në disa hapa dhe objektivat kryesore lidhen me stabilizimin fillestar të gjendjes së tyre psiko-emocionale nëpërmjet ofrimit të sigurisë dhe mbështetjes emocionale dhe trajtimit psikologjik në vazhdimësi me qëllim fuqizimin e tyre për t’u ripërshtatur në jetën shoqërore dhe realitetin në vend”.
Në fazën e parë të rehabilitimit kur kontigjentet kthehen nga kampet siriane protokollet e zbatimit janë të njehsuara me të gjitha ministritë të cilat punojnë në këtë fazë.
Rehabilitimi është faza ku punonjësit e vijës së parë pas vlerësimit fillestar të gjendjes dhe nevojave që paraqesin të rikthyerit, hartuan planet e ndërhyrjes dhe nëpërmjet këshillimit, psikoedukimit, teknikave të ndryshme terapeutike synuan stabilizimin fillestar të gjendjes se tyre dhe më pas u vijua me trajtimin e traumave që mund te ishin prezente dhe modifikimin e sjelljeve apo skemave mendore tё keqpërshtatura. Pёrmes kёtij riaftёsimi synohet qё të riatdhesuarit personi tё pranojnё sё pari vetveten dhe identitetin e ri, tё rifitojë funksionet e humbura si dhe të rivendosin statusin personal dhe shoqëror. Ersa ndihej e përjashtuar nga shoqëria, kishte jetuar një tjetër jetë ndërsa rikthimi në Shqipëri e përballi me një realitet tjetër. Në kampin Al-Hol i thuhej vazhdimisht se në Shqipëri nuk do mundej të praktikonte fenë, se vajzat si ajo shiheshin me një tjetër sy e do përjashtoheshin menjëherë nga shoqëria. Edhe pse qëndroi për 5 vite në kampin Al- Hol sërish e reja nuk e humbi shpresën!
Besimi se mund t’ja dilte tashmë ishte në dorën e shtetit shqiptar dhe organeve të cilat do të bënin të mundur riintegrimin e saj në komunitet.
Sipas ekspertëve të vijës së parë, riintegrimi i referohet rivendosjes së lidhjeve shoqërore, familjare dhe komunitare si dhe pjesëmarrjes pozitive në shoqëri. Riintegrimi social paraqet sfida për fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit, siç janë stigma, mungesa e lidhjeve shoqërore dhe konfliktet familjare. Të tilla sfida ishin dhe për të renë. Ersa përjetonte ndjenjën e turpit, humbjes, dështimit, ankthit, pasigurisë dhe stresit, të cilat bëheshin pengesë në procesin e riintegrimit. Veç të tjerave ajo kishte qenë dëshmitarë dhe e dhunës. Njё ekspozim i tillё sigurisht qё ndikon negativisht nё zhvillimin e fëmijëve por edhe të Ersën dhe lё pasoja afatgjate nёse nuk trajtohen siç duhet nga punonjësit e vijёs sё parё. Edhe pse larg zonës së konfliktit dhe nё njё vend mё tё sigurt, pasojat e traumës mund të vazhdojnë gjatë. Kjo ёshtё ende njё periudhё tranzitore pёr Ersën e cila i duhet kohё pёr t’u stabilizuar nё mjedisin ku u kthye.
Procesi i riintegrimit për Ersën dhe për gjithë fëmijët e tjerë të kthyer nga zonat e konfliktit është ndërtuar duke u bazuar në një metodologji pune duke vendosur fëmijën në qendër të tij, sepse në Shqipëri është në zbatim një legjislacion i plotësuar, i cili ka për qëllim ndërtimin e një sistemi të integruar për mbrojtjen e fëmijëve. Sipas punonjësve të vijës së parë familjet në proces riintegrimi në ndërtimin e planeve individuale të mbrojtjes është mbajtur në konsideratë parimi “fëmija nuk menaxhohet i ndarë nga familja, por Plani Individual i Ndërhyrjes ngrihet duke përfshirë edhe ndërhyrje për familjen”.
Si gjithë fëmijët e tjerë, vajza iu nënshtrua procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit. Për Ersën kjo ishte pjesa më e vështirë por punonjëset sociale, trajtimi psikologjik, nevoja për mbështetje me mësues edukativë pas shkollorë kanë bërë që riintegrimi të jetë më i shpejtë dhe më efikas. Sipas Punonjëses së Mbrojtjes së Fëmijës (PMF) vajza ka ndjekur rregullisht seancat psikologjike, orët e mësimit dhe takimet me mësuesen ndihmëse. Marrëdhëniet familjare janë deri diku të stabilizuara.
Punonjësja e Mbrojtjes së Fëmijëve pohon “Aktualisht ne kemi ofruar shumë shërbime, duke filluar që nga ndihma psikologjike, arsimore, shëndetësore, kushtet profesionale, nevojat bazike të fëmijëve dhe familjeve dhe mund të themi se jemi në një rrugë te mbarë për sa i përket rehabilitimit të fëmijëve dhe riintegrimit të tyre dhe kjo fal punës intensive të punonjësve…. për me tepër që një punonjës i mbrojtjes së fëmijëve bazohet mbi një ligj, mbi një protokoll, mbi disa afate të caktuara ligjore. Por mund të them me plot bindje dhe me plot siguri që puna për fëmijët dhe familjet e të rikthyerve ishte një investim me shumë se sa thjesht profesional. Ishte personale. Ishim aty çdo ditë, në çdo kohë, duke ju përgjigjur telefonatave, kërkesave, nevojave të tyre”.
Pavarësisht nga mosha e fëmijës, punonjësit psikologë që lehtësojnë procesin e riintegrimit janë kujdesur që të punojnë më së shumti me aftësitë ndërpersonale, menaxhimin e emocioneve, jetën e shëndetshme familjare. Elementë të tillë janë thelbësore për të krijuar njё mjedis sa mё miqёsor dhe tё shёndetshёm i cili nxit potencialet e fёmijёs dhe i bёn ata mё produktiv pёr shoqёrinё.
Ndërhyrja te fëmijët nga profesionistet psikologë është realizuar nëpërmjet teknikave të ndryshme terapeutike, e qëllim përmirësimin e aftësive të tyre njohëse, shprehive te sjelljes, vetrregullimit të emocioneve dhe zgjidhjes se problemeve të cilat do të lehtësonin procesin e riintegrimit për fëmijët dhe klimën e përgjithshme të ndërveprimit me bashkëmoshatarët si në shkolla dhe kopshte ashtu dhe në komunitet. Sipas psikologeve ekspozimi ndaj ngjarjeve stresante apo situatave (si të shkurtra në kohë ashtu dhe afatgjata) shumë kërcënuese për jetën, mund të shkaktojnë stres pothuajse në jetën e çdokujt. Rezultatet e vlerësimeve psikologjike fillestare te të rikthyerit por edhe tek Ersa sinjalizonin praninë e simptomave te stresit pas traumës, simptomave depresive dhe në disa raste ankth. Ky është një tregues që gjatë qëndrimit në kamp Ersa kishte arritur që ngjarjet traumatike ti konsideronte si normale.
Sipas ekspertëve në thelb, përgjigja ndaj traumës është një mekanizëm vetëmbrojtës që aktivizohet në mënyrë automatike sa herë që ne përballemi me eksperienca jetësore traumatike. Përgjigjet shërbejnë si një mekanizëm mbijetese për të na thënë të reagojmë shpejt ndaj situatave kërcënuese për jetën. Në rastin e të resë përgjigja fillestare ndaj bombardimeve kërcënuese në Siri ka qenë ikja apo largimi nga një vend në tjetrin por në kampe ne kushtet e izolimit dhe mbikëqyrjes u detyrua të ndryshojë ketë përgjigje për te mbijetuar duke u nënshtruar ose mpirë emocionalisht, pasi ndryshe do të ndëshkohej. Kjo lloj mpirje emocionale apo natyra e nënshtruar u konstatua te e reja dhe në muajin e parë të riatdhesimit, pasi frika qëndronte aktive dhe pa prezencën e një kërcënimi real. Edhe pse mund të praktikonte fenë, edhe pse tashmë mund të shkonte në shkollë sërish ndihej e frikësuar.
Për Ersën u aplikuan teknika të tilla si joga apo frymëmarrja e thellë te cilat ndihmuan në kundërveprimin e përgjigjeve të stresit dhe lejuan trupin të hyjë në një gjendje më të qetë dhe te relaksuar. Angazhimi në aktivitete fizike apo lojra ishte një mënyrë tjetër për të nxitur qetësinë në trup për të renë. Gjithashtu përdorimi i terapive për të nxitur shprehjen emocionale të saj rezultoi një forme mjaft efektive gjatë fazës së rehabilitimit por dhe me tej. Rritja e vetëdijshmërisë për të gjatë fazës së riintegrimit ishte një formë tjetër ndërhyrje me qëllim përmirësimin e aftësive njohëse. Krijimi i marrëdhënieve të besimit me punonjësit e mbrojtes së fëmijëve bënë që Ersa të pranonte të merrte ndihmë. Kjo ishte ndoshta dhe vështirësia më e madhe që hasej jo vetëm për të por për të gjithë fëmijët. Pranimi për të marrë ndihmë.
Aktualisht Ersa është pranuar në shkollë dhe rezultatet në mësime kanë qenë impresionuese. Brenda një periudhe 1 vjeçare ajo ka shoqërinë e saj. Praktikimi i fesë u rikthye normalisht dhe diçka e tillë nuk e përjashtoi nga shoqëria.
Fati i Ersës është i ndryshëm nga fëmijë të tjerë të cilët vijojnë të mbeten brenda kampit Al-Hol. Duke u larguar nga kampi, në fund të vitit 2022, ajo braktisi nënën dhe motrën e saj. E reja ka të ngjarë të ketë shkatërruar çdo marrëdhënie të ardhshme me to dhe mund të mos i shohë më kurrë. Ato nuk donin që ajo të largohej e mbeteshin të bindura se ISIS do të ngrihet nga hiri por Ersa i pret të rikthehen.
Shënim : Ky artikull është realizuar në kuadër të programit “Riintegrimi i qëndrueshëm në komunitet i shtetasve shqiptarë të kthyer nga Siria”, i cili po zbatohet në Shqipëri nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve dhe Qendrën e Gruas për Zhvillim dhe Kulturë, nën koordinimin kombëtar të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me mbështetjen e Fondit Global të Angazhimit dhe Qëndrueshmërisë së Komunitetit (GCERF).
Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.