Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) publikoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, studimin “Panorama e Medias në Shqipëri”.
Sipas studimit, mbi gjysma e të anketuarve pohojnë vetë-censurën dhe lajmet e urdhëruara nga pronari i medias, ndërsa mbi treçereku i tyre pohojnë se ka gazetarë që korruptohen për të bërë kronika.
Studimi u mbështet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Ai përfshiu 800 pyetësorë me punonjës të medias shqiptare në Tiranë dhe qytetet më të mëdha, dhe 20 intervista më të thelluara me redaktorë, analistë dhe pronarë mediash, ku dolën një mori problemesh me pagat, kontratat e punës, censurën dhe etikën profesionale.
Sipas studimit, lajmet pezullohen për shkak të presionit të qeverisë, të partive politike dhe të biznesit.
Rreth 35% e gazetarëve të anketuarve deklarojnë se pronari dhe redaktoi ka fshirë fare lajme apo kronika për të cilin ata kanë punuar.
Po ashtu, gazetarët janë nën presion të mos shkruajnë raporte për disa lajme për fusha të caktuara nga pronari.
Nga ana tjetër, gazetarët abuzohen verbalisht ose psikologjikisht kur kryejnë detyrën e tyre.
Një nga 3 gazetarë, se 66% e kolegëve të anketuar pohojnë se janë kërcënuar fizikisht dhe gojarisht gjatë punës.
Krahas studimit dhe vëzhgimeve të ndryshme, në ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e shtypit shqiptar edhe presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili theksoi se çdo goditje ndaj medias është sulm ndaj demokracisë.
Presidenti Meta shënoi në një mesazh publik drejtuar gazetarëve vendas se i mbështeste ata që të fitojnë sfidën për fjalën e lirë, sepse, si u shpreh ai, “shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur “Zërin e Amerikës” apo “Deutsche Welle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre”.
Zoti Meta tha se gjendja e rëndë e shtypit shqiptar duhet të marrë fund, mohimi i të drejtës së gazetarëve për të ndjekur veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen.
Shqipëria renditet ndër vendet me liri të pjesshme të medias në raportet e “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, shtypi shqiptar sot është më pak i lirë dhe më pak i pavarur, goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar.
Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.