e mërkurë, 12 shkurt, 2025

“Fake news” dhe piratët e lajmeve: replikë me gazetarin Carlo Bollino

Gazetari & Etikë

Këtë javë, krahas lajmeve të aktualitetit për “hapjen” e negociatave, skandalin “Toyota Yaris” e raportin e DASH për trafikun e qënieve qerëzore, spikatën, ndër të tjera, dhe dy artikuj që trajtonin disa nga problematikat e medias shqiptare.

I referohem këtu shkrimeve të gazetarit dhe botuesit Carlo Bollino, “Mjaft me hajdutët e lajmeve!”, i publikuar në shqiptarja.com dhe artikullit “Normalizimi i rrenës” me autor gjuhëtarin e publicistin, Ardian Vehbiu, i botuar në portalin e themeluar prej tij, “Peizazhe të fjalës”.

Të dy artikujt duken të largët për nga tematika që trajtojnë por në fakt ato i bashkon problematika dhe janë pjesë e një analize të vetme që ka të bëjë me “plagën” e mediave shqiptare. Në këtë kuptim, shkrimi në vijim është dhe një kryqëzim i dy artikujve dhe do të ndalet në tre argumente:

Së pari, boshti i analizës fokusohet në një element të cekur nga gazetari Bollino, i cili ndërsa dënon gazetarët-hajdutë të lajmeve, thotë se “lajmet janë një e mirë private”:

Edhe lajmet, ose më mirë artikujt me të cilët paraqiten lajmet, janë të mira private, janë pronë intelektuale e atij që i prodhon dhe i publikon. Por, ndërkohë që çdo lloj hajduti vepron në fshehtësi dhe, kur zbulohet, përfundon në burg, hajdutët e lajmeve, në të kundërt, veprojnë në dritën e diellit dhe askush nuk i kërkon apo dënon…

Në fakt, a janë lajmet një e mirë private?

Nga perspektiva e një botuesi ose sipërmarrësi të medias, që e “lexon” kompaninë e tij vetëm si biznes, ndoshta mund të jetë dhe kështu, por kurrsesi nuk është e tillë nga perspektiva tjetër, e qytetarëve dhe gjithë shoqërisë, që janë motivi kryesor i raportimit të mediave.

Lajmet dhe artikujt nuk janë të mira private, por duhen trajtuar si të mira publike, për sa kohë që këto informacione që publikohen presupozohet që kanë një impakt te publiku dhe përbëjnë interes për të.

Nëse një media nuk ka si busull orientimi “interesin publik”, ajo mund të jetë çdo gjë, por jo një media!

Dhe, për fatin tonë të keq, në këtë tregun tonë, kemi shumë media që nuk janë media, sepse interesin publik e përdorin në funksion të biznesit ose interesave të tyre.

Këtë fakt e dëshmoi dhe një hulumtim i fundit i MediaLook mbi mënyrën sesi mediat shqiptare, televizionet, portalet e gazetat online, i raportonin njoftimet për shtyp të Bashkisë Tiranë, ku përputhshmëria e kontentit ishte në shifra alarmante!

Së dyti, gazetari Carlo Bollino e thotë mjaft mirë se në tregun mediatik shqiptar, nga afro 800 portale me gazetarë-hajdutë që ekzistojnë, vetëm dhjetë a diçka më shumë prej tyre prodhojnë lajme. Të tjerët, – sipas tij, i vjedhin dhe shumëfishojnë këto lajme, duke bërë që “fenomeni i piraterisë të kthehet në shkakun kryesor të përhapjes së “fake news””:

Në Shqipëri ekzistojnë nga 800 deri në 1.000 portale dhe 60 televizione që publikojnë lajme, por në realitet sajtet online dhe televizionet që kërkojnë lajme, përpunojnë kronika dhe i publikojnë ato nuk janë më shumë se 10. Të gjithë të tjerët thjesht vjedhin: kopjojnë lajmet e prodhuara nga të tjerët dhe i ripublikojnë. Një praktikë kjo, në shkelje të hapur të ligjit dhe të normave të profesionit tonë. Ripublikojnë ato lajme, jo vetëm pa respektuar pronësinë intelektuale të atij që ka paguar për t’i prodhuar, por, mbi të gjitha, pa bërë as edhe një verifikim lidhur me saktësinë e tyre. Ja pse fenomeni i piraterisë (të cilin e shkakton edhe mungesa e rregullave të shkruara) është edhe shkaku kryesor i përhapjes së lajmeve të rreme (fake news) në mediat tona dhe i mungesës së besueshmërisë, që rrjedh prej kësaj dhe që po godet të gjithë informacionin shqiptar…

Kjo është plaga kryesore e medias shqiptare!

Mediat tradicionale, me redaksi të konsoliduara, që prodhojnë lajme e artikuj, janë dhe përgjegjësit kryesor të “fake news” në Shqipëri! Të tjerët, ato hajdutët e lajmeve që i referohet z.Bollino, shërbejnë për ta shumëfishuar dhe për ta përhapur me lehtësi këtë sëmundje. Por, pa të parët, prodhuesit e këtij kontenti të rremë, ne sot do të duhet të flisnim vetëm për problematikën e piraterisë, që është element dytësor krahasuar me propagandën mediatike që realizohet përmes “fake news”.

Studiuesi Ardian Vehbiu e argumenton shumë saktë në shkrimin e tij “Normalizimi i rrenës”, se që “shtypi të rreket të japë të vërtetën, me aq sa mundet, duhet edhe që dikush të mbante përgjegjësi për gënjeshtrën dhe anasjelltas, kur askush nuk paguan ndonjë haraç (qoftë edhe moral) për gënjeshtrën dhe dizinformimin, atëherë e vërteta nuk mund të përcillet më…

Problemi qëndron se këtu askush nuk mban përgjegjësi për gënjeshtrën që publikon në TV, shtyp a portale. Mediat prodhojnë qëllimisht “fake news” dhe drejtuesit e tyre arsyetojnë se lajmet e publikuara prej tyre u shërbejnë qytetarëve. Ky fakt e bën panoramën edhe më të zymtë.

Së treti, pirateria! Kjo është një çështje e shumë diskutuar në të gjithë botën, por në Shqipëri përmasat e saj janë edhe më të mëdha. Këtu të gjithë kopjojnë gjithçka! Mjaft ti hedhim një sy statistikave për tre ditët e fundit (26.06.2018-28.06.2018) që publikon fax.al, faqja e cila “organizon, bën rankimin dhe prezanton përmbajtjet e faqeve tjera në mënyrë automatike”:

Foto e marrë nga Fax.al, dt.29.06.2016

Gazeta Express e cila figuron e para në këtë klasifikim ka publikuar 1275 lajme në tre ditë, ose 425 lajme në ditë!

Kjo është çmenduri! – Një redaksi që shetësohet paksa për produktin e saj do të duhet të kishte minimumi 400 ose më shumë gazetarë për të prodhuar një kontent të tillë në mënyrë profesonale. Po të shtojmë ketu numrin e lajmeve që publikojnë dhjetë mediat e para të klasifikuara nga fax.al, rezulton se ato publikojnë 2850 artikuj. Imagjinoni me çfarë lumi të rrëmbyeshëm informativ përballet audienca online me 800 portalet shqipfolëse që qarkullojnë sot në internet.

Në këtë moment ndodhemi përballë një kaosi informativ, një fluksi informacioni që prodhon keqinformim, ku edhe publiku i specializuar, madje dhe profesionistët e fushës e kanë të vështirë për t’u orientuar.

Për t’u rikthyer sërish te vjedhja e lajmeve, zgjidhja e problematikës së të drejtës së autorit të artikujve online duhet të jetë ligjore, por për këtë diskutimet duhet të jenë të gjera mes aktorëve mediatik dhe akademikëve të fushës, pasi duhet bërë kujdes për të mos cenuar lirinë e shprehjes edhe të drejtat që qytetarëve u ofrohet sot në web 2.0 për të patur një media online.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.