e shtunë, 8 shkurt, 2025

Fiks Fare investigim mbi “audiencën”; Telemetrix: raportim abuziv, po na dëmton imazhin

Medialeaks

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës disa kompani të pakontrolluara nga shteti, pa të ardhura dhe pa punonjës, të cilat kontrollojnë audiencën e televizioneve që kanë qindra punonjës dhe xhirojnë dhjetëra miliona euro në vit.

Të ardhurat e vetme për televizionet janë reklamat, por disa kompani dezinformojnë tregun, duke bërë matje audience me aparatura që nuk i kontrollon dhe nuk i certifikon askush.

“Fiks Fare” ka bërë një vëzhgim për dy kompanitë “Abacus” dhe “Telemetrix”, të cilat masin audiencën e televizioneve në Shqipëri.

Kompania “ABACUS” është themeluar në vitin 2011, ndërsa në vitet 2012 deri në 2014 ka qenë e pezulluar. Nga viti 2015 deri në vitin 2018 ka bërë matje audience. Por, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kjo kompani nuk figuron të ketë bërë asnjë investim në teknologji.

Emisioni “Fiks Fare” siguroi disa dokumente nga QKB-ja, ku rezulton se “ABACUS” deklaron të ardhura minimale në bilancet vjetore. Rezulton se ka vetëm një të punësuar dhe dy aksionerë. Është shitur dhe blerë disa herë, ku kuota e shitjes ka qenë 50.000 lekë të reja.

“Fiks Fare” shkoi disa herë në kompaninë “Abacus”, duke tentuar që të flasë me pronarët apo administratoren. Por, në po kaq herë nuk ka arritur të kontaktojë asnjë prej tyre. Në zyrë qëndronte vetëm një punonjëse, e cila fillimisht thotë se kompania ka leje nga entet publike. Por, në asnjë rast, pronarët apo punonjësit nuk japin shpjegime se çfarë pajisjesh kanë të instaluara, e nëse ato janë të licencuara apo të akredituara.

Madje, punonjësja nuk e dinte se çfarë pajisje kishte kjo kompani, apo nëse pajisjet janë shtrirë apo jo në të gjithë territorin. Gazetarët komunikuan në telefon me administratoren e kësaj kompanie, znj. Jusilda Boçaj, e cila nuk pranoi që grupi i xhirimit të “Fiks Fare” të xhironte brenda ambienteve për të parë nëse kishte apo jo pajisje. Për të gjitha pyetjet, administratorja kërkoi që t’i nisnim një kërkesë për informacion.

Pas disa tentativash në zyrën e kompanisë “Abacus”, redaksia e emisionit “Fiks Fare” merr informacion se administratorja punon në një tjetër vend, si drejtoreshë në një kompani marketingu, në konflikt të hapur interesi. Ajo përsëri nuk pranoi të kthente përgjigje për pyetjet që “Fiks Fare” i kishte dërguar me kërkesë zyrtare. Për sa i përket punësimit të saj si drejtoreshë në një kompani marketingu, ajo tha se kjo është një e drejtë e saj.

Administratorja nuk iu përgjigj asnjëherë pyetjeve të “Fiks Fare” për numrin e aparaturave që kanë të shpërndara në Shqipëri, për certifikimin e tyre apo metodologjinë që përdorin në matjen e audiencës.

Nga informacionet që disponon “Fiks Fare” rezulton se, në fund të vitit 2018, kjo kompani ka ndërprerë këtë shërbim, megjithëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqëria është aktive!

Kompania e dytë që mat audiencën e televizioneve në Shqipëri është “Telemetrix”, e cila operon që prej vitit 2012. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kjo shoqëri ka disa aksionerë.

Nga informacioni që siguroi “Fiks Fare” rezuton se, dy prej aksionerëve të kësaj kompanie kanë 4 kompani marketingu; z. Ardian Garo është aksioner edhe në 3 kompani që operojnë në fushën e marketingut dhe z. Bledar Sema, që është ortaku tjetër i “Telemetrix” me 10% të aksioneve, ka aksione në një tjetër kompani marketingu. Pra janë në konflikt të hapur interesi.

“Fiks Fare” kontakton me administratorin e kompanisë “Telemetrix”, z. Ivi Rexhepi. Ai tregon se kompania ka 5 punonjës, ndërsa në të gjithë Shqipërinë janë vendosur 375 aparatura në familje. Sipas Rexhepit, pajisjet janë prodhuar nga vet kompania dhe nuk janë të licencuara apo akredituara. Ai thotë se këto familje paguhen nga kompania, por çmimin e pagesës nuk e thotë. Sipas tij, 375 familjet janë në Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë, Durrës dhe Elbasan.

“E vetmja licencë që kemi ne janë klientët tanë. Pajisjet nuk janë të licencuara se nuk ekziston një ent publik dhe duhet të krijohet kjo aparaturë. Ne aparaturën e kemi krijuar në bazë të disa metodave ndërkombëtare. Aparaturat janë krijuar nga ne, i vetmi akreditim është portofoli i klientëve tanë”, thotë Rexhepi.

Kur “Fiks Fare” e pyet nësë kjo kompani shkon pas këtij portofoli, administratori i “Telemetrix” tha: “Klientët tanë janë kundërshtarë me njëri-tjetrin dhe ne nuk favorizojmë asnjë, megjithëse është përmendur shumë”.

“Fiks Fare” kërkoi leje nga adminsitratori i “Telemetrix” për të parë një aparaturë të tyre për matjen e audiencës dhe të filmojë në një familje ku është instaluar kjo aparaturë, por ai nuk pranoi. Sipas z. Rexhepi, lista e familjeve ku janë vendosur 375 aparaturat e “Telemetrix” është konfidenciale dhe çdo familje identifikohet me kod, madje edhe adresa është me kod.

“Kur të ketë një institucion që do të më kontrollojë, do t’i nxjerrim këto lista”, thotë ai. Sipas tij, matja e audiencës në aparatet e vendosura në familjet bëhet me audio, që do të thotë se serveri merr audiot e aparateve të vendosura në këto 375 familje, pa figurë.

“Fiks Fare” filmoi edhe serverin ku ruhen të dhënat e 375 aparateve, server që ishte vendosur në një dhomë dhe nga pamjet kuptohet se ky server është shumë i vogël, madje dhoma i ngjason më shumë një magazine, pasi në të janë disa kompjuterë të prishur.

Për këtë problematikë, “Fiks Fare” iu drejtua kryetarit të AMA-s, z. Gentian Sala.

“Ligji për mediet audiovizive nuk shprehet për kontroll dhe monitorim të matjes së audiencës. Ka dy apo 3 kompani që e bëjnë këtë proces me nismën e tyre. Tregu i reklamës përbën të ardhurat e medieve dhe duhet të jetë sa më i rregullt”, thotë kreu i AMA-s.

Më tej, ai shton se ky shqetësim ka shkuar në këtë institucion nga disa TV private, por shqetësimet vijnë edhe nga Këshillit i Europës.

“Para disa muajsh kemi marrë nismë për të diskutuar me të gjithë aktorët e këtij tregu. Dolën problematikat dhe u ra dakord që do merret ekspert nga Europa. Jam i shqetësuar që aktorët kryesorë të kësaj fushe duhet të ndërgjegjësohen që të bëhen bashkë dhe të bëhet një matje audience si në të gjithë Europën”, thotë Sala.

Në fund, ai pohon se ka ardhur koha që një gjë e tillë të realizohet.

“Duhet të krijohet një grup pune që të dalim në një rezultat. Ne nuk na lejohet që të hyjmë në kontroll dhe monitorim të këtyre kompanive”, përfundoi kreu i AMA-s, Gentian Sala.

 

Reagim i kompanisë Telemetrix mbi raportimin e “Fiks Fare” 

Telemetrix, kompania kryesore e matjes së audiencës televizive ne Shqipëri, vlerëson me rëndësi publikimin e një deklarate të shkurtër ku shprehet qëndrimi ynë sa i përket referencës ndaj kompanisë tonë në një emision satirik si dhe disa portale mediatike në web. Ne e shohim të arsyeshme ta ndajmë këtë deklaratë në katër pika kryesore.

Titulli “Kompani fantazmë”: Një titull përgjithësues që në këtë rast dëmton imazhin e kompanisë Telemetrix, kompani e cila siç shfaqet edhe ne emisionin “Fiks Fare”, ka një prezencë të afirmuar në treg, me investime të kryera ndër vite, të pasqyruara dhe kollaj të gjëndshme në institucionet kompetente qeveritare. Kompania Telemetrix ka nje aktivitet mujor aktiv ekonomik dhe një portofol të gjerë klientësh ku perfshihen kanale televizive, reklamues, si dhe disa nga kompanitë më të mëdha që operojnë në tregun Shqiptar. Ne nuk e shohim të arsyeshëm paralelizimin me koncepte si “kompani fantazmë” dhe i kërkojmë palëve të përfshira në këto publikime të specifikojnë referencat e tyre, për të shmangur një dëmtim të mundshëm të imazhit të kompanisë Telemetrix dhe pasojat që mund të sjellë ky dëmtim.

Liçensimi për këtë aktivitet: Matja e audiencës televizive është aktualisht nje aktivitet i shtrirë në një treg të lirë dhe numri i klientëve të interesuar ndaj një produkti të tillë është në vetvete një formë garancie për këtë produkt (“nëse behet një punë e keqe, klientët nuk e blejnë produktin”). Nuk është praktikë e tregut të lirë që aktivitete të tilla (hulumtime / sondazhe) të rregullohen nga institucione qeveritare. Është tregu, të gjithë aktorët dhe palët e përfshira, që e vetërregullojnë këtë aktivitet. Kjo është një pikë e rëndësishme që u ndërpre shumë shkurt gjatë intervistës me kompaninë (Telemetrix zotëron filmimin e të gjithë intervistës me gazetarët e “Fiks Fare”), pra nevoja për një “Joint Industry Committee”, që më pas konfirmon edhe z. Sula (AMA) nëpërmjet intervistës së dhënë. Telemetrix ka vite që përkrah një iniciativë të tillë dhe dyert e kompanisë kanë qënë gjithmonë të hapura, për të gjitha palët e interesuara, ashtu siç ishin edhe për gazetaret e emisionit “Fiks Fare”, ose ekspertit të BE, siç konfirmon z. Sula.

Dhoma e server-it: Jemi kuriozë se cilat janë pritshmëritë e prezantuesve të “Fiks Fare” sa i përket një dhome server-i. Një dhome me pozicion të izoluar nga agresorët atmosferik, e cila qëndron në mënyre konstante në një temperaturë prej jo më shumë se 5°C. Jemi kuriozë pse prezantuesit prisnin që monitorët në atë dhomë të ishin të ndezur (i konsideruan të prishur) dhe pse gjithashtu menduan se server ishte i vogël, ndërkohë që çdo person me një background të thjeshtë në IT, mund të konfirmojë që serveri si dhe back-ups janë në fakt të një madhësie të konsiderueshme (pa i hyrë fuqisë proçesuese e cila në asnjë mënyrë nuk lidhet me madhësinë fizike të aparaturave). Pavarësisht këtyre, premtojmë që do sigurohemi të vendosim disa postera me ngjyra të këndshme në muret e dhomës se serverit, për ti pritur me pozitivitet më të lartë vizitat e papritura nga emisione “investigative” në të ardhmen.

Matja e audio për identifikim kanali: Nëse stafi i “Fiks Fare” do t’i kishte bërë detyrat e shtëpisë para se të transmetonte emisionin ku referohej kompania Telemetrix, do kishin zbuluar që matja e audiencës behet sigurisht me identifikim gjurmësh audio nga televizori (praktikë standarte botërore). Jo, nuk vendosim mikrofona brenda shtëpive të familjeve pjesë të panelit tonë, paisjet tona lidhen direkt me televizorin dhe e “tërheqin” audion direkt nga TV dhe jo nga dhoma! Me shumë pak kërkim në google, mund të gjendet edhe arsyeja se pse përdoret audio nga TV dhe jo një burim tjetër si frekuenca ose figura.

Telemetrix ka investuar para, kohë dhë shumë punë ndër vite për të ofruar një produkt sa më afër praktikave më të mira botërore. Telemetrix i është përgjigjur gjithmonë në mënyrë transparente çdo kërkese për informacion (nga klientë si dhe palë të treta) rreth panelit tonë, i cili ka qënë në mënyrë aktive në zgjerim sipas kërkesave të tregut specifik.
Telemetrix është gjithmonë gati për të zgjeruar edhe më shumë aktivitetin e vetë, për aq gjatë sa të gjithë aktorët (përfshirë Top Channel që deri para disa muajsh ka qënë klient zyrtar i kompanisë Abacus) vendosin të bashkëpunojnë për ta rregulluar këtë sektor, siç sugjeron dhe z. Sula nga AMA.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.