Kur para shumë vitesh fillova të merrem me studimin e medias, e konsiderova më shumë si një mënyrë për të mos i shkëputur lidhjet me gazetarinë. D.m.th. do e shikoja nga jashtë atë që e kisha bërë për disa vite nga brenda. Pak nga pak fillova të kuptoj që kjo ishte një punë mirëfilli që duhej investuar patjetër, nëse donim të kishim një media të shëndetshme. Më kujtohet atëherë një miku ynë i quante gazetarët “lule mos më prek”. Ishte një shpjegim shumë i mirë të rezistencës që bënin shumë gazetarë ndaj qasjes kritike për produktet e tyre. Dmth thashë se duhet kohë të mësohemi me këtë gjë.
Po shikoj se vitet e fundit është rritur kjo sindroma e lules mos më prek. Madje ka shkuar më tej- është kthyer në sindromën e gazetarisë “Tokë e Xanun”. Personalisht i kam mbrojtur gjithmonë gazetarët edhe duke ua ditur sakrificat dhe përkushtimin. Ka një klimë anti-media sot, frymëzuar nga shumë faktorë dhe duhet të jeni në auditorë me publik të thjeshtë të kuptoni se çfarë mendojnë njerëzit për gazetarët/et.
Po pa dashje, më duket se më shumë i kemi dëmtuar duke mos ua thënë publikisht gabimet. Gazetarët, i kemi vënë në një lloj piedestali që nuk gabojnë kurrë. E ndesh rëndom këtë filozofi kur dëgjon gazetarë ta krahasojnë veten me pilotin e avionit që nuk marrin urdhra nga pasagjerët- kupto publiku, audienca. E ndesh edhe tek gazetarët që irritohen me kritikët e shkrimeve të tyre. Dy herë gabim- e para që e marrin si personale dhe e dyta, nuk ua rrok mendja që komente për produktin e tyre mund të bëjë çdokush. Nëse ti je ne rregull me parimet e gazetarisë, s’ke pse frikohesh bre! Çdokush ka të drejtë ta komentojë produktin gazetaresk. Nuk ka nevojë të mbarosh shkollë gazetarie, as të punosh gazetar, të kuptosh manipulimin, propagandën, subjektivitetin, mbajtjen anë. Këto janë – duhet të jenë- common sense.
Gazetarët duhet të kuptojnë që produkti i tyre është i gjykueshëm nga të gjithë, sa kohë del në arenën e ligjërimit publik dhe s’ka rëndësi në jam me dy universitete apo me 4 klasë shkollë. Kush ka frikë nga kjo, bën mirë të fillojë të mësohet. Me dikë që ka punuar gazetar, e kanë të humbur betejën se unë di të dalloj nga larg propagandën dhe manipulimin, qoftë kur bëhet me kaseta të gatshme, qoftë kur paketohet si lajm zyrtar. Për momentin , nuk kemi shumë persona të edukuar mediatikisht, por po vijnë.
Janë dhjetëra të rinj e të reja anembanë Shqipërisë që po sfidojnë klasën e vjetër mediatike, duke bërë vlerësim kritik të produktit mediatik dhe duke mësuar ta thonë këtë hapur. Dhe po, unë merrem edhe me trajnimin e te rinjve për edukimin mediatik, sepse vetëm kështu do ti bëjmë ballë furisë së dizinformacionit dhe propagandës që na shitet për gazetari. Unë nuk i them derrit dajë dhe këtë ma ka mësuar gazetaria. E bardha është e bardhë dhe e zeza është e zezë, mbështille sa të duash ti me letër me xixa. Gjysmë të vërtetat nuk janë të vërteta. Gazetaria nuk është “tokë e xanun”. Është profesion që ka në themel besimin te publiku, jo vasalitetin. Po e trajtove publikun si vasal, si të pashkollë, si një që nuk merr vesh, ha këtë që të jap unë se vetëm unë e di si gatuhet, e ke humbur besimin e publikut. Nuk fshihesh dot nën ombrellën e “lules mos më prek”.
Ka rastisur qe shumica e studiuesve të medias sot vijnë nga radhët e gazetarëve ose ish gazetarëve. Atyre që mundohen t’i kompleksojne këta të fundit më pretekstin që nuk janë më gazetarë terreni, u them që gazetar nuk të bën redaksia formale. Nuk është më gazetar vetëm ai që punon brenda një strukture të njohur mediatike, po çdokush që merr përsipër të dëshmojë një ngjarje/fakt duke përdorur standardet e gazetarisë- objektivitet, ndershmëri, saktësi. Gazetar terreni nuk të bëjnë diplomat e varura në mur, po qasja që ti ke ndaj ngjarjes, vëzhgimi që ti i bën situatës duke nxjerrë informacion të vlefshëm për publikun.
Ndaj, Po, unë jam gazetare, studiuese e medias dhe trajnere për gazetarinë.
Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.