e enjte, 13 shkurt, 2025

Mediat e lira nuk janë “kazan”

Blog

Prej datës 16 gusht, rreth 350 media amerikane po publikojnë shënime editoriale të koordinuara në përgjigje të akuzave të përsëritura të Presidentit Trump mbi shtypin e lirë.

Për një personazh i cili ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e medias, duke përfituar një publicitet të paparë që i mundësoi dhe nisjen e një karriere politike, Donald Trump po dëshmon një urrejtje të madhe ndaj medias, pa përfshirë këtu ato që i shprehin mbështetje të pakushtëzuar, duke i cilësuar si “armiq të popullit amerikan” (“kazan” në kontekstin shqiptar)  dhe etiketuar ABC, CNN e New York Times si media që prodhojnë vetëm “fake news”.

Media e lirë mund të fuqëzojë publikun – kjo është arsyeja pse politikanët e sulmojnë atë

Trump nuk është i vetmi! Politikanë të fuqishëm në mbarë boten bezdisen nga ideja se institucione të tjera të pavarura përpiqen t’i mbajnë ata “në kontroll”. Politikanë autoritarë por dhe personazhe që preferojnë të jenë protagonistë të vetëm nga Italia në Indi, nga Polonia në Filipine e deri në Afrikën e Jugut janë përpjekur të godasin mediat e lira përmes sulmeve publike, presioneve politike dhe marrëveshjeve “të pista” ekonomike. Gjithë këto tentativa janë forma presioni mbi pronarët dhe drejtuesit e mediave dhe strategji e përdorimit të parasë publike në forma marketingu të cilat kanë për qëllim të minojnë aksesin e opinionit publik në informacionin e pavarur.

Ky soj politikanësh e di mjaft mirë rrezikun që vjen nga media e lirë e cila mund të iluminojë dhe fuqizojë publikun duke e informuar vazhdimisht atë rreth çështjeve publike. Shtypi i lirë ka fuqinë të “çjerrë maskën” e zyrtarëve dhe autoriteteve publike përmes pyetjeve të drejtpërdrejta dhe me qëllimin e vetëm, zbardhjen e të vërtetës. Kjo është arsyeja se pse politikanët i frikësohen medias dhe pse e sulmojnë vazhdimisht atë.

Është e qartë se mediat e lira nuk janë “armiku i popullit”, dhe, po kaq e qartë, se politikanët që i ngrenë këto akuza nuk janë “të kulluar” dhe të gatshëm për të pranuar kritikën. Shumë prej tyre janë autokratë të dalë jashtë mode të cilët përpiqen të kontrollojnë lajmin përmes censurës së drejtpërdrejtë dhe dhunës fizike. Ata veprojnë në shoqëri të cilat, kush më pak e kush më shumë çedojnë në principet dhe praktikat e demokracisë liberale. Disa prej tyre tentojnë kontrollin e drejtpërdrejtë të agjencive mediatike, e përmes tyre dhe opinionin publik. Nëse një politikan arrin të bindë publikun se “mediat janë e keqja e tyre”, “se lajmet janë të rreme” dhe se nuk mund të kenë besim askund tjetër veçse te ai, atëherë pushteti i tij bëhet i pakufishëm dhe nuk i druhet aspak kritikave që publikon shtypi i lirë.

Si mund dhe duhet të reagojë media?

Qëndresa dhe mbështetja te principet e një gazetarie profesionale, sikurse po bëjnë aktualisht mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jashtë saj, është hapi i parë i kundërpërgjigjes. Të dëshmosh këtë zotim në praktikë është edhe më e rëndësishme. Sikurse pohon dhe kryeredaktori i Washington Post, Marty Baron, gazetarët amerikanë nuk “luftojnë” me administratën Trump por me parimet e punës së tyre. Të sfidosh retorikën e egër të Presidentit Trump nuk është një qasje e një shtypi partizan, ose një qasje anti-administratë, por thjeshtë një kambanë për publikun se gazetaria ka si mision të mbajnë pushtetin nën kontroll dhe se pushteti, publik apo privat, nuk e ka shumë për zemër një gjë të tillë. Dikur republikanët i qëndruan fortë kësaj ideje, pra shtypit të lire, kur Presidenti Regan e cilësoi si një “kolonë të demokracisë dhe shoqërisë amerikane apo kur presidentit Xhorxh Bush e përcaktoi atë si një “domosdoshmëri për demokracinë”.

Për të kryer sa më mirë punën e tyre si një watchdog, gazetarët në veçanti dhe mediat në përgjithësi, duhet t’i përmbahen fort parimeve të tyre, të profesionit dhe të bindin publikun se ajo që janë duke bërë, nuk është asgjë më shumë se puna e tyre. Për t’i bërë ballë sulmeve të politikanëve të fuqishëm, të cilët përpiqen ti etiketojnë si “armiq të popullit”, gazetarët duhet të bindin publikun se ata punojnë për interesin e tyre dhe jo atë të partive apo grupeve të caktuara politike.

Vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një sondazh i Reuters arriti në përfundim se besimi i publikut ndaj mediave ishte rritur ndjeshëm pas akuzave të President Trump që i cilësonte si “armikun kryesor te popullit amerikan”. Nga ana tjetër, besueshmëria ndaj vetë presidentit kishte pësuar një rënie të lehtë, por që nuk përputhej me rritjen e konsiderueshme të besimit ndaj shtypit. Por pavarësisht kësaj, duhet thënë se ka një krizë besimi në nivel botëror të publikut në raport me shtypin e lirë dhe kompanitë mediatike.

Një vëzhgim i muajit korrik arriti në përfundim se 34% e amerikanëve i besojnë lajmeve të publikuara nga mediat, por në të njëjtën kohë i  kushtojnë një rëndësi të veçantë dhe sulmeve të presidentit ndaj tyre. 48% e tyre shprehin shqetësimin rreth deklaratave që politikanët bëjnë për lajmet e rreme me qëllim diskreditimin e mediave që nuk pëlqejnë. Por në të njëjtin vëzhgim ka një shqetësim shumë të madh të amerikanëve mbi mediat që mbështesin agjenda të caktuara politike dhe gazetarisë së varfër, respektivisht me 67 dhe 60%.

Përballja me politikanë të fuqishëm të cilët sulmojnë median e lirë është vetëm fillimi. Por problematika e vërtetë është se si gazetarët dhe kompanitë mediatike mund të rifitojnë besimin e publikut. Nëse shtypi i lirë dëshiron të fitojë një luftë të cilën nuk e ka kërkuar kurrë, dhe të ruajë statusin e tij si një “qen roje”, këtë mund ta arrijë vetëm duke patur si aleatin e tij më të madh opinionin publik.

Shënim: Artikulli është publikuar në European Journalism Observatory dhe është shqipëruar nga Elvin Luku.

 

Artikuj të ngjashëm:

“Fake news” i Donald Trump vs. “kazani” i Edi Ramës

“Digital News Report 2018”: Mediat tradicionale përgjegjëset kryesore të “fake news”

“Fake news” dhe piratët e lajmeve: replikë me gazetarin Carlo Bollino

Fake news dhe ekonomia e dezinformimit!

 

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.