e diel, 9 shkurt, 2025

Reklama e re e Nike “tërbon” Donald Trump, lufta sapo ka filluar!

MediaLook off

Në 30-vjetorin e slloganit “Just Do It” (“Thjesht bëje”) të kompanisë së vjeshjeve sportive Nike, u njoftua kontrata e arritur me ish-lojtarin e futbollit amerikan Colin Kaepernick. Vendimi i zotit Kaepernick për t’u ulur në gjunjë kur luhet himni kombëtar në çeljen e ndeshjeve të ligës së futbollit amerikan NFL, si një formë proteste ndaj brutalitetit të policisë, shkaktoi debat në mbarë Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Cherneff, efekti i kësaj reklame po shtrihet në të dyja anët e vijës ndarëse mes botës sportive dhe asaj politike.

Ish-lojtari i Ligës Kombëtare të Futbollit (NFL), Colin Kaepernick, është protagonisti i fushatës së fundit reklamuese, dhe jo të gjithë janë të kënaqur me këtë zhvillim.

Vendimi i tij në vitin 2016 për të protestuar kundër brutalitetit policor ndaj minoriteteve, duke u ulur në gjunjë gjatë luajtjes së himnit kombëtar përpara fillimit të çdo ndeshjeje, shkaktoi një ndër debatet më përçarëse rreth sportit dhe politikës në Amerikë.

Presidenti Trump, i cili i pati bërë thirrje ligës NFL të ndëshkonte lojtarët që gjunjëzohen gjatë luajtjes së himnit, e quajti vendimin “të papërshtatshëm” gjatë një interviste për kanalin Fox News dhe më vonë shkruajti në Twitter: “Çfarë i shkoi në mendje kompanisë ‘Nike’?”.

Marrëdhënia kontraktuale prej miliarda dollarësh e kompanisë “Nike” me ligën NFL e ka zhvendosur debatin në epiqendër, ndërsa shumë sportdashës po pozicionohen.

Disa njerëz të inatosur u shfaqën në mediat sociale duke djegur paisjet e tyre të firmës “Nike”.

Por, të tjerë e lavdëruan kompaninë për qëndrimin e guximshëm për çështjet sociale. Ekspertët thonë se kjo nuk është e rastësishme.

“Mendoj se kompania ‘Nike’ vendosi të mbështesë zotin Kaepernick pasi besojnë në të njëjtën gjëra. Vendosën të kenë një platformë të mbështetur tek barazia, drejtësia dhe morali. Mendoj se pritshmëria e tyre është që edhe klientët duan të pozicionohen në anën e duhur”, thotë Mary Epner, e kompanisë analitike “Mary Epner Retail Analysis”.

Klientët e këtij dyqani “Nike” në Nju Jork janë dakort.

“Është një mesazh pozitiv ndërsa u shiten atlete njerëzve që kanë po këto pikëpamje. Nga sot në mëngjes kam më shumë shtysë të blej një palë atlete të kompanisë ‘Nike’ se sa të kompanisë ‘New Balance’”, thotë Aimee Ross, kliente e firmës ‘Nike’.

Kritikët thonë se nuk ishte morali, por paraja që e shtyu kompaninë ‘Nike’ të mbështesë zotin Kaepernick, i cili i është pjesë e një padie gjyqësore ndaj ligës NFL, ku akuzohen ekipet e futbollit amerikan se kanë rënë fshehtazi dakort të mos e punësojnë.

“Çfarë mendojnë se do të arrijnë përmes tij? Mendoj se po e bëjnë këtë vetëm që ai të mos padisë ligën NFL dhe t’u marrë paratë”, thotë Lou Orlendo, klient i firmës “Nike”.

Por, shumë ekspertë të marketingut thonë se reagimi do të jetë në të mirë të zotit Kaepernick, kompanisë “Nike” dhe ligës NFL.

“Është fantastike për ligën NFL, të cilës i duhet të rigjallërohet. Liga duhet t’i largohet politikës dhe t’i rikthehet futbollit. Përndryshe, do ta gjejnë veten në një krizë ekzistence, jo vetëm prej politikës, por edhe për shkak të plagosjeve në kokë të lojtarëve dhe rënies së pjesëmarrjes së të rinjve”, thotë David Hollander, i Institutit Tish për Sportet Globale, në Universitetin e Nju Jorkut.

Për futbollin amerikan dhe për kompaninë “Nike”, lufta kulturore në politikë dhe në sport vetëm sa ka filluar. / VOA

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini,publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

Të ngjashme

author-img_1

Rreth Nesh

MediaLook është një portal që ofron artikuj hulumtues, investigime, analiza të thelluara dhe opinione që hedhin dritë mbi propagandën, dezinformimin, keq menaxhimin, korrupsionin dhe mungesën e transparencës të institucioneve në pushtetin gjyqsor, legjislativ, ekzekutiv e mediatik, si dhe agjencive të pavarura publike e private. Kjo faqe i kushton një hapësirë të veçantë zhvillimit të teknologjisë e platformave online dhe ndikimit të tyre në industrinë e medias tradicionale, formave të reja të produksioneve mediatike, raportimit multimedial dhe konvergimit mediatik.